E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata si trupë e gatshme për mitingje

Preç Zogaj

Kundërshtarët  apo armiqtë e  Shqipërisë evropiane vështirë  se do të gjenin një spot  më efikas për  qëllimet e tyre se sa ai që kryeministri shqiptar Sali Berisha ua dhuroi falas, për të disatën e herë, me  22 mars: mitingun politik me punonjës  buxhetorë të  thirrur me listë për  të  bërë popull  për  shfaqjen  e  tij.   Për të bërë popull është një shprehje  jo fort e saktë. Më e saktë do të ishte  të thoshim  se buxhetorët  mobilizohen me përparësi  për të mbuluar dhe kompensuar mungesën e pjesëmarrjes së lirshme të popullit  në to. Me fjalë të tjera, për të zëvendësuar popullin që  nuk del vetë, për t렠 brohoritur ne emër të popullit që nuk brohoret vetë, për  të bërë të paqenë protestën e  tërthortë të mospjesëmarrjes   dhe distancimit qytetar nga  këto manifestime tipike regjimesh.   Boll që paguhen me taksat e qytetarëve   dhe  privatëve të thjeshtë , boll që  i zvarrisin pa pikë respekti këta qytetarë  dhe  madje qëllon tu kërkojnë edhe  kacidhen  e fundit  kur kanë ndonjë hall, por kur ka nevojë udheheqja  e  partisë dhe qeverisë , kur duan të  fryhen në tribuna apo të  ecin me këmbë në ndonjë fshat këta udhëheqës, buxhetorët, porsi një trupë e gatshme bedelesh vihen edhe në rolin e qytetarëve të thjeshtë, luajnë edhe rolin e tyre gjoja sikur janë shumë të kënaqur si popull me udhëheqjen.  U marrin pra  qytetarëve të thjeshtë edhe të fundmen gjë që u ka mbetur, të drejtën për të  treguar pakënaqësinë dhe  dhe distancimin nga qeveria nëpërmjet   bojkotimit të  paradave  të saj teatrale. Sa rol i ulët, sa rol  i pështirë ky rol, por edhe i dënueshëm për çdo punonjës buxhetorë që paguhet nga taksapaguesit dhe ka statusin e nëpunësit  civil.

Mirë buxhetori që e ha turpin me bukë dhe shtiret si qytetar i thjeshtë me demek nga halli, por Berisha me shokë çfarë ndjejnë kur brohoriten nga buxhetorët dhe nëpunësit partiakë të shtetit? Nuk u vjen të skuqen, nuk u vjen pak turp? Çfarë  vërtetësie dhe vlere kanë hosanatë e një zyrtari që do të shkojë pas kësaj të tërheqë rrogën të cilën ia ka garantuar struktura politike e partisë në pushtet? Këta  emrin e kanë nëpunës, sepse në fakt  nuk janë gjë tjetër veçse klakerë  të maskuar si zyrtarë.   E keqja e madhe  është se ne nuk jemi ende pjesë  e Evropës; krijimin e një administrate publike që nuk përdoret politikisht  në  manifestime politike  dhe fushata  elektorale e kemi si kusht për tu  pranuar në Evropë.  Me këtë që bëjmë, duke mos qenë në Evropë, ne u japim një armë kundërshtarëve tanë të na dëmtojnë. Kundërshtarëve tanë?  Në fakt ne ia bëjmë vetes, tamam në logjikën e tezës së trishtuar të Faik Konicës se armiqtë  më të mëdhenj të Shqipërisë  janë vetë shqiptarët ( Berisha me ministrat e tij janë shtetas  shqiptarë). Si mund të  merren me listë ashiqare  buxhetorët  në  vitin 2012,  në vitin me delikat për çështjen e integrimit, në një festë që  ka humbur  kuptimin vetëm tre muaj pas 22 marsit 1992,  në zgjedhjet lokale të asaj kohe, kur Berisha  humbi  me servilët e tij në pushtet po aq sa çkishte fituar  me të  ndryshmit e tij  në opozitë me 22 mars?   Një spot i gatshëm,  që  demaskon pamëshirshëm  ndërvartësinë e plotë të lirisë së nëpunësit nga buka e qeverisë; një  shëmbëlltyrë e regjimit të vjetër të  partisë shtet dhe shtetit parti; një autoreklamë e një regjimi paradash, rregjim i cili  përmbledh në vetvete shmangien thelbësore nga demokracia- ja ky është mitingu festiv  me punonjës të administatës, që e  shtyn akoma me shumë në kohë ëndrrën tonë të integrimit evropian. Ka plot gjera për të cilat Europa bën një sy qorr e një vesh shurdh. Por këtu nuk  futet përdorimi politik i administratës  nga  qeveria. Pavarësia  dhe departizimi i administratës publike futet si çështje në ato të vijës së demarkacionit që ndajnë  demokracinë nga  pseudodemokarcia. Mund të kesh bërë plane  shumë të bukura veprimi për integrimin, mund të  kesh përmbushur shumicën e  kritereve të BE për marrjen e ftesës si vend kandidat në BE, mund të  kesh shënuar suksese   në luftën kundër korrupsionit, e tjerë.

Të gjitha këto  shumëzohen me zero  kur  administrata  urdhërohet  dhe bindet si delja e urtë të  mbushë  sheshet  e mitingjeve politike  të kryeministrit. Është treguesi më  i qartë i  mentalitetit të vjetër të drejtimit, i kuptimit të vjetër  të  raportit  midis punëdhënies  dhe punëmarrjes  kur  qeveria mendon se  i paguan nga xhepi  i saj dhe jo nga xhepi i taksapaguesve  punonjësit e administratës dhe  prandaj  i jep vetes të drejtën ti  përdorur si rezervat, si detashment  apo si trupë të gatshme në mitingje dhe  votime. Me shumë se kaq, përdorimi i administratës   si fasadë politike ësht렠 shkatërrimi i marrëdhënieve të qeverisë  me publikun, është një truk që kërkon të  fshehë dështimet, të manipulojë mendjet dhe të përgatisë truket elektorale të radhës.  Ndërsa në raport me individin, vetë  standarti i pjesëmarrjes së detyruar të buxhetorëve në mitingje  është një sulm kundër lirisë së personit, një dhunim i së drejtës së individit për të  manifestuar pa kushte  liritë politike.  Vetë ideja se tjetrit mund ti hiqet puna dhe paga  sepse nuk merr pjesë  në mitingun e qeverisë  e bën  vulnerabël dhe madje  të paqenë demokracinë. Do të thotë se ligji i nëpunësit civil dhe meritokracia janë  parulla boshe pa  vlerë. Do të thotë se  mundësitë  për punësim  alternativ në sektorin privat janë  në kufijtë e zeros , se kushdo që ka një punë në administratë  përpiqet ta ruajë me thonj me dhembë, duke shkelur edhe mbi veten. Do të thotë se admnistratës   në thelb  i është diktuar të jetë  një zgjatim apo një bërthamë poltike elektorale  e qeverisë dhe si e tillë ajo ka dalë plotësisht nga funksionet  e veta.  Ky fenomen i shëmtuar i ka rrënjët në regjimin e vjetër  Enver Hoxhës, por  tashmë, njëzet e dy vjet pas përmbysjes së atij regjimi,  mbahet gjallë e ushqehet në radhë të parë nga  struktura politike-ekzekutive e drejtuar nga Berisha.

Një pjesë mezi presin të marrin pjesë në mitingje të tilla. Me një miting e shtyjnë disa muaj pa bërë  asgjë apo duke bërë atë që sduhet të bëjnë. Si finokë që janë e  kanë kuptuar se  partia prandaj i ka punësuar dhe i mban në punë aty ku i mban. Në vend që ti ndalojë nominalisht të marrin pjesë në mitingje politike apo ti largojë  nga puna nëse nuk rrinë dot pa mitingje, e gjithë  struktura piramidale e shtetpartisë se Berishës  bën të kundërtën: detyron të marrin pjesë në mitingjet e veta edhe ata që nuk  kanë  dëshirë  të  marrin pjesë. Këta vinë nga frika se po nuk u panë në shesh, do ti fusin në rreth e do ti shkarkojnë  nga puna. Kjo histori  nuk mund të vazhdojë pa fund kështu. Na kushton shtrenjtë në të gjitha pikëpamjet.  Berisha  luan me bukën e gojës së buxhetorëve siç thuhet, por edhe buxhetorët   e kanë tepruar duke luajtur viktimën. Është koha për të menduar një zgjidhje. Një zgjidhje që e kthen administratën në funksionet e saj organike. Një zgjidhje që heq një pengesë për  integrimin e vendit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›