Zgjedhje korrekte

Drejtuesit e Demokracisë në Veprim (KDI) i kanë vlerësuar si të suksesshme zgjedhjet që janë mbajtur për të tretën herë radhazi në Komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit.
Këtë qëndrim të KDI’së e ka dhënë, Besnik Ramadanaj, të hënën, ku ka vlerësuar se rivotimi në Komunën e Prizrenit dhe Lipjani ka përmbushur standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta.
Por, kjo organizatë ka gjetur edhe disa parregullsi të vogla, të cilat nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Ndër parregullsitë kryesore që kanë hasur vëzhguesit e DV ishin prezenca e vazhdueshme e personave të paautorizuar nëpër vendvotime, votimet familjare, asistimi i votuesve nga ana e vëzhguesve të partive politike, fotografimi i votave nga shoqëruesit e votuesve...”, ka thënë Ramadanaj.
Demokracia në Veprim ka inkurajuar Komision Qendror Zgjedhor dhe palët tjera të përfshira në proces që të punojnë së bashku në mënyrë që t’i evidentojnë këto parregullsi. Kjo organizatë ka rekomanduar edhe rishikimin e legjislacionit për zgjedhje, pasi janë vërejtur mangësi në mekanizmat e kontrollit të votave.