Ambiciet e Komisionit
Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës nuk do të merret vetëm me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Megjithëse i mandatuar të merret vetëm me këtë çështje, kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami ka deklaruar se do të ketë përpjekje që përmes ndryshimeve t’i japë fund pavarësisë së mbikëqyrur në mënyrë që prezenca civile ndërkombëtare t’i bartë edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues.
Ai vlerëson se janë pjekur kushtet politike që të rishqyrtohet Kushtetuta e Kosovës në shumë segmente.
Përveç reformës substanciale sa i përket institucionit të presidentit për të shkuar në një zgjedhje të drejtpërdrejtë të Shefit të Shtetit, Bajrami përmend edhe një qëllim tjetër të Komisionit, në të cilin janë të përfshirë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare.
“Të plotësohet shteti i Kosovës me qeverisje - në kuptimin që të tërhiqet qeverisja ndërkombëtare në shumë sektorë dhe të fuqizohet në aspektin kushtetues Kosova përmes kompetencave të reja të organeve”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se tri vjet pas shpalljes së Kosovës shtet nuk ka nevojë për përfaqësues ndërkombëtarë në institucione vendore dhe për këtë merr shembull Gjykatën Kushtetuese, ku janë emëruar tre gjykatës ndërkombëtarë si dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm që udhëhiqet nga një ndërkombëtar.
Kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese thekson se institucionet vendore duhet të marrin kompetencat ekzekutive edhe nga prania civile ndërkombëtare, ICO dhe EULEX.
“Mendoj se ka ardhur koha që Kosova t’i marrë të gjitha përgjegjësitë, sepse praktika ka treguar se kur institucionet e Kosovës pajisen me përgjegjësi, ato janë edhe më të përgjegjshme, janë edhe më efikase. Nuk do të kemi më dualizëm të kompetencave siç kemi nganjëherë. Më së miri ky dualizëm është manifestuar në mungesën e progresit në Veri. Në fakt, kompetencat nuk janë definuar mirë dhe gjithmonë kemi një alibi për fajësinë”, ka thënë Bajrami.
Anëtari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese nga Koalicioni për Kosovë të Re, Ibrahim Makolli mbështet idenë e Bajramit për ndryshimin e Kushtetutës edhe në pika të tjera që do t’i jepnin fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se Kuvendi duhet t’i japë mandat shtesë Komisionit për të bërë ndryshime të tjera kushtetuese që nuk parashihen me rezolutën e pasuar nga marrëveshja e tre liderëve partiakë.
“Besoj që Kuvendit nuk i pengon asgjë që ta autorizojë këtë komision që të bëjë rishikim të Kushtetutës edhe në çështjet e tjera. Ne kemi vërtetuar tashmë se ka disa çështje brenda Kushtetutës të cilat e ngushtojnë hapësirën e institucioneve dhe të vendit. Dhe do duhej tashmë të ketë ndryshim të këtyre dispozitave kushtetuese. Se cilat do të jenë ato, natyrisht do të varet prej këtij komisioni”, ka thënë Makolli.
Sipas Makollit, pjesa për të cilën ka marrë mandat Komisioni, që ka të bëjë me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, është shumë e lehtë dhe e thjeshtë për t’u ndryshuar.
“Ky komision e ka një mandat për punët që duhet bërë. Kuvendin nuk e ndalon asgjë që të autorizojë Komisionin për rishikim të Kushtetutës, jo vetëm për zgjedhjen e Presidentit”, tha ai.
Megjithëkëtë, ndryshimi i Kushtetutës në pikat që i japin fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, sipas Makollit, duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
“Mendoj se duhet të ketë një bashkëpunim të mirë me bashkësinë ndërkombëtare në vend. Gjithçka duhet të shkojë në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar në Kosovë”, tha ai.
Zyra Civile Ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e Planit të Ahtisaarit, nuk ka komentuar shumë deklaratat e deputetit Arsim Bajrami, por thotë se ka ende punë për zbatimin e këtij plani.
“Mandati i Pieter Feithit si ICR është rikonfirmuar në takimin që është mbajtur në shkurt të vitit 2011 të Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe vazhdon në kohë të pacaktuar. Gjatë këtij viti, ICO’ja do të vazhdojë punën në zbatimin e Planit të Ahtisaarit së bashku me institucionet e Kosovës.
Ne konsultohemi rregullisht me Qeverinë e Kosovës rreth progresit drejt zbatimit të Planit të Ahtisaarit. Në aspektin afatgjatë, qëllimi i fundit është mbyllja e ICO’së, megjithëse ky është një vendim për Grupin Drejtues Ndërkombëtar, në përputhje me progresin e arritur”, ka thënë të dielën për Express, Andy McGuffie, Zëdhënës i ICO’së.