Zgjedhje në Afganistan - masa të rrepta sigurie

Në Afganistan sot u votua për zgjedhjet e dyta presidenciale, zgjedhje që u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie dhe nën kërcënimin e dhunës talebane.
Pjesëmarrja duket se ka qenë e ulët në disa pjesë të vendit, duke përfshirë kryeqytetin, Kabul, ku qysh në mëngjes u dëgjuan shpërthime. Më pas, policia shkëmbeu zjarr me një grup njerëzish të armatosur të cilët morën nën kontroll një ndërtesë në lindje të Kabulit. Dy persona që mbanin jelekë me eksplozivë u vranë.
Ndërkohë, në provincën jugore Helmand, një fëmijë u vra pas raketave
që ranë në kryeqendrën e saj Lashkar Gah. Njoftohet gjithashtu për zjarr
mortajash në provincën fqinje Kandahar si dhe për një sulm me raketë objektiv i
të cilit ishte një qendër votimi në qytetin verior Kunduz.
Megjithëse zyrtarët thonë se votimet kaluan pa probleme, disa qendra votimi në
zonat fshatare nën kontrollin e militantëve qendruan të mbyllura.
Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara, Kai Eide i cilësoi votimet si një "ngjarje
pozitive". Në Afganistan është ndërmarrë një operacioni i gjerë për sigurimin e
zgjedhjeve; qindra mijë ushtarë dhe policë afganë si dhe trupa të NATO-s dhe
amerikane po e mbështesin këtë operacion.
Votimet e sotme përbëjnë vetëm herën e dytë që afganët zgjedhin drejtpërdrejt presidentin që nga rënia e regjimit taleban në vitin 2001. Votuesit po zgjedhin edhe këshilltarët provincialë.//ii