E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje te reja ne dy komuna ne fillim te janarit

KQZ dërgon në rivotim bastionet e PDK dhe AAK-së

Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që ta dërgojë në rivotim Komunën e Deçanit, si dhe atë të Skenderajt, ku pjesëmarrja e elektoratit në këtë komunë ishte evidencuar të jetë 98 për qind. Përveç këtyre dy komunave, KQZ-ja ka marrë vendim që të rivotohet edhe në Drenas, ku, sipas të dhënave të paraqitura nga vëzhguesit e partive politike dhe të institucioneve të tjera relevante, aty kishin votuar 94 për qind të qytetarëve. Ky institucion gjithashtu ka vendosur që për zgjedhjet e përgjithshme të rivotohet edhe në fshatin Shalë të Komunës së Lipjanit, si dhe në fshatin Llashkadrenovc të Komunës së Malishevës. Vendimi për rivotim, i cili do të bëhet më nëntë janar, është marrë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte shqyrtuar të gjitha dokumentet e kërkuara një ditë më parë nga KQZ-ja, përmes të cilave kishte vërtetuar manipulimet që ishin bërë në këto komuna në zgjedhjet e 12 dhjetorit. “Pasi që është marrë vendimi nga PZAP-i lidhur me ankesat e disa subjekteve politike sa u përket disa qendrave të vendvotimeve në Skenderaj, Drenas, Deçan, Malishevë dhe Lipjan, KQZ-ja ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës në këto komuna, si dhe përsëritjen e votimit në disa qendra të votimit në Malishevë dhe Lipjan”, ka bërë me dije Daka vendimin e KQZ-së. Ndonëse këtij institucioni PZAP-i i kishte kërkuar që të anulonte votat në shumicën e qendrave të votimit në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, KQZ-ja me shumicë votash ka vendosur që të shkojë në rivotim të plotë për shkak, siç ka thënë kryetarja Daka, “se i gjithë procesi zgjedhor është dëmtuar në këto komuna”. Sipas Dakës, parregullsitë janë evidencuar edhe nga raportet e Qendrës së Numërimit dhe të Rivotimit. “KQZ-ja, duke u mbështetur në vendimin e PZAP-it të datës 16 dhjetor, vendos që në këto komuna të përsëritet votimi në tërësi për arsye se në shumicën e qendrave të votimit ka pasur keqpërdorime të ndryshme të evidencuara nga PZAP-ja, si dhe nga raporti i QNR-së”, është shprehur Daka. Ajo ka konfirmuar se rivotimi do të mbahet në javën e dytë të janarit të vitit 2011. “KQZ-ja vendos që përsëritja e votimit në këto komuna të bëhet më datën 9 janar 2011. Ky vendim hyn në fuqi më datën 16 dhjetor 2010”, ka thënë Daka. Kundër këtij vendimi është ankuar AAK-ja. Përfaqësuesi i saj në KQZ, Blerim Burjani, ka bërë me dije se kjo parti do të ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it për rivotim në një qendër votimi në Lipjan e Malishevë. Pasi që, sipas Burjanit, PZAP-i nuk kishte kërkuar asnjë dokument shtesë për të vërtetuar parregullsitë në këto qendra votimi. “Ne do të vazhdojmë që këtë vendim sidomos të PZAP-së ta kontestojmë dhe do të bëjmë një ankesë në Gjykatën Supreme dhe drejtësia të vijë në vendin që duhet të jetë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›