E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri Votat per Vetevendosjen pro bashkimit kombetar

Intervistë Komentatori i njohur analizon rezultatet e partive pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit

Analisti i njohur, Ramush Tahiri, në një intervistë ku analizon procesin zgjedhor në Kosovë, theksoi se votat për “Vetëvendosjen” janë qëndrim i shqiptarëve të Kosovës për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, por edhe për të zgjeruar sovranitetin e shtetit të ri...

Z. Tahiri, si e vlerësoni procesin zgjedhor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në vend?

Si shumë të rregullt, demokratik dhe të ndershëm. Ishin zgjedhje të mira që u mbajtën në kohë, që përfunduan mirë, që u vlerësuan mirë edhe nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare dhe nga ato vendore. Nuk pati asnjë ekses dhe asnjë ndërprerje dhe askund nuk patëm rast të kontestimit të proceseve dhe nuk patëm rast që procesverbalet nuk u nënshkruan. Sepse këto janë zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur dhe si të tilla të parat që u organizuan plotësisht me kapacitete vetjake dhe për një kohë shumë të shkurtër, pati edhe disa parregullsi të cilat ranë në sy dhe që tash janë në procedurat e shqyrtimit në PZAP, të cilat mund të vlerësohen si teknike: që janë llambat e detektimit të ngjyrës fluoreshente etj.

Partia Demokratike e Kosovës edhe kësaj radhe doli parti fituese, e para me përqindje. Sipas jush, si arriti PDK të mbajë votuesit e saj, duke marrë parasysh se nuk ka rënie në këto zgjedhje. Edhe pse ky subjekt politik është kritikuar shumë gjatë mandatit të fundit nga opozita?

Mund të duket paradoksale, por nëse bëjmë një analizë politike të proceseve, sepse të dy partitë e shkaktuan krizën dhe provokuan zgjedhjet dhe tani që të dyja dolën fituese me një rritje të lehtë për një ose dy deputetë. Por ky është vullneti i popullit sikurse është edhe lëvizja “Vetëvendosja” që i fitoi trembëdhjetë ose katërmbëdhjetë deputetë dhe e cila në platformën zgjedhore e kishte kritikën ndaj qeverisë dhe partnerëve të koalicionit PDK e LDK. Pra, këtu kemi të bëjmë me një profilizim të theksuar të votuesit që në të ardhmen do të vazhdojë të shprehet edhe më shumë.

Edhe kësaj radhe LDK-në e kemi subjektin e dytë politik. Lideri i ri i saj, Isa Mustafa, me t’u zgjedhur në krye të këtij subjekti politik pati deklaruar se LDK-së do t’ia kthej primatin e të parës në skenën politike. Por sot kemi një situatë ndryshe, prognoza e Mustafës nuk doli ashtu. Ku mendoni se ishin gabimet që ky subjekt politik nuk doli fitues. Çfarë vendimi duhet të marrë sipas jush tash z. Mustafa?

Isa Mustafën e njoh mirë. Për dallim prej famës së krijuar në opinion unë e njoh si shumë të vendosur dhe shumë të guximshëm dhe që e mban fjalën. Nuk është lider i lindur, por nuk është aspak servil, më shumë është teknokrat, ndoshta pak a shumë si janë liderët modernë, nuk është ideolog, por i kupton proceset dhe shumë shpejt i pranon inovacionet. Unë mendoj se ai doli në skenë në krye të LDK-së, sepse e nxorën rrethanat, sepse në garën e Prishtinës u tregua shumë i suksesshëm dhe sepse me fitoren e tij e ndërpreu shkapërderdhjen e mëtejme të partisë. Isa Mustafën e nxori elektorati, por ende nuk e ka përkrahjen e strukturave të partisë, të cilat vetë u kanë mbështetur për të ruajtur pozicionin e vet, si ishin më herët përkrah Sejdiut, dhe ky ende nuk ka arritur ta bëjë reformën brenda partisë dhe siç thonë, nuk shkon lideri i ri dhe strukturat të jenë të vjetra.. Unë mendoj se tërheqja e Isa Mustafës nga politika në këto momente, që do të pasonte edhe me tërheqjen nga pozita e kryetarit të Prishtinës do të destabilizonte LDK-n, por edhe skenën politike me detyrimin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja për Prishtinën. Në Kosovë nuk mund të eksperimentohet shumë në proceset politike, sepse boshllëqet që lihen mund të kenë efekt zinxhir. LDK-ja po kalon e para nëpër këto procese demokratike, në lëvizjen nga lideri te teknokrati dhe tek udhëheqja profesionale, por së shpejti do të shihni se në proceset e tilla do të ngërthehen edhe partitë e tjera, tash PDK dhe AAK, nuk e dimë ende cila do të hyjë e para në proceset e rivlerësimit të legjitimitetit të brendshëm dhe të platformës politike të partisë. E patëm përvojën e ORA-s tash të LDD-s dhe tendencat në AKR dhe duhet parë si do të nxirret AAK nga ky koalicion i brendshëm me “Listën Rugova”. Kemi disa njerëz që shëtisin nga njëra parti te tjetra, që mundohen ta gjejnë veten, por që edhe pse kanë elektorat nuk mund të krijojnë subjekt të vetin apo të bashkëmendimtarëve të tyre.

Lëvizja “Vetëvendosje” në zgjedhjet e 12 dhjetorit, e cila për herë të parë garoi në këto zgjedhje la pas AAK-në e Haradinajt dhe AKR-në e Pacollit. Si arriti t’i mobilizojë qytetarët dhe të marrë një përqindje kaq të madhe të votuesve?

Unë mund të shpreh mendimin tim, sepse është kohë e shkurtër për të bërë analiza e për të nxjerrë konkluzione. E para: platforma e bashkimit kombëtar dhe e mbrojtjes së identitetit kombëtar shqiptar e simboleve, kulturës e traditës. Ka pasur analistë të proceseve politike në Kosovë që kanë menduar se kjo është e tejkaluar është primitive dhe i takon shekullit të nëntëmbëdhjetës, nuk thoshin as njëzetë e që na qenka e pakonceptueshme për shekullin 21. Doli që populli identitetin kosovar e ka kuptuar drejt si identitet shtetëror e qytetar e jo identitet kombëtar dhe doli që Kosovën e sheh si shtet të popullit shqiptar dhe të qytetarëve të tjerë dhe doli se e do dhe punon për bashkimin kombëtar. E dyta: “Vetëvendosja” u angazhua për sovranitet të plotë të shtetit të Kosovës për integritet territorial dhe për subjektivitet të brendshëm dhe të jashtëm. Ajo tha se Kosova do ta shtrijë pushtetin në të gjithë territorin e saj se për prezencën ndërkombëtare do të nënshkruajë marrëveshje dhe se do të zbatojë ligjin për këdo dhe në çdo çështje ashtu i edhe shtetet e tjera sovrane në Europë. E treta: “Vetëvendosja” i bëri kritika të forta qeverisjes dhe doli një opozitë e guximshme të cilës votuesit i besuan duke i dhënë asaj përkrahje dhe duke ndëshkuar partitë e tjera të deridjeshme opozitare.

Për ju cili koalicion do të ishte më i mundshëm?

Më mirë në këto kushte do të ishte koalicioni PDK, (38 deputetë) AAK (11), AKR (8), pra 57 deputetë dhe dhjetë apo më shumë deputetë të pakicave, duke futur edhe serbët e Slobodan Petroviçit ( 9) dhe partinë turke (3), boshnjake (2) ashkali, rom, egjiptian (3)etj.  Mundësi tjetër është LDK (27), “Vetëvendosje” ( 13-14), AAK (11), AKR (8), pra 60 deputetë plus në pjesë e deputetëve nga minoritetet serbe, turke, boshnjake, ashkali, gorane etj. Pra nga 7 deri në 18 deputetë të minoriteteve varësisht se a hynë deputetët e Rada Trajkoviçit apo të S. Petroviçit...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›