E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gold Touch publikon zbulimin e arit në Rubik

SHKRUAN: Blerina Hoxha 23-07-2011 11:42

Aksionet e kompanisë amerikane të kërkimit të arit, Gold Touch, janë rritur me 15 për qind në Bursën NASDAQ, për shkak të rezultateve pozitive në minierën e Rubikut. Në raportin e kësaj kompanie të rëndësishme në bursat ndërkombëtare, thuhet se projekti i shpimit është drejt realizimit dhe është mbështetur në të dhënat e gjeologëve shqiptarë të vitit 1980. Të dhënat e para janë pozitive. Kjo zonë dhe ky projekt përfshijnë 68 kilometra katrorë, që gjenden 100 kilometra në veri të Tiranës. Licenca e Golden Touch's Rubik përfshin një zonë prej 20 kilometra të gjatë. “Eksplorimet kanë gjetur se afër sipërfaqes gjinden minerale ari në shtatë zona, përgjatë një rripi 10 kilometrash”, thuhet në një njoftim të kompanisë. Shpimi i parë testues është bërë në Gjazuj, ku hulumtimi gjeologjik shqiptar pati kompletuar një program shpimi më 1980 në kërkim të silicit. Programi i shpimit të tyre ka treguar se një zonë e gjerë prej 30 metra dhe e gjatë 1300 metra është shumë e pasur me silic. Punët e mëvonshme kanë nxjerr në dritë se kjo zonë ka edhe ar. Mostrat e marra kanë treguar se ka 6.3g/t. Aly Mawji, president i Golden Touch, tha se ‘Unë dëshiroj të falënderojë kompaninë dhe ekipin në Shqipëri për të arritur dhe fillimin e shpimeve në vitin 2011. Ne kemi bërë një punë të madhe në terren dhe kemi shqyrtuar të dhënat për objektivat në lidhje me shpimin në depozitat e Gjazujit”. Gjatë muajit mars, Golden Touch nisi projektin e shpimit 2000-metërsh në zonën Gjazuj. Ne “Jemi të kënaqur me këtë progres të arritur dhe tashmë kompania përgatitet për zgjerim të programit të shpimit për rreth 4 000 metra. Ne do të vazhdojmë të përcaktojmë objektiva të rinj në depozitin e madh në Gjazuj”, është shprehur presidenti Mawji. Golden Touch ka shpenzuar 5 milionë dollarë shtesë në eksplorimin, ku u zbulua se ka numër të konsiderueshëm të arit, platinit dhe mineraleve të kromit. Rezultati i 157 vrimave të shpuara të diametrit 74-156 milimetra, ka verifikuar dhe e ka plotësuar bazën historike të të dhënave. Shkallë të lartë të mineraleve të arit janë prezente në 4 zona, por analizat kanë treguar se ari nuk është prezent vetëm në zonat me silicium, por gjithkund në këtë zonë. Të dhënat gjeologjike tregojnë për gurët mineralë e të pasur me ar që janë deri në 10 metra në diametër. Në fakt për arin dhe rezervat në Rubik shteti edhe para viteve 1990 nuk ka bërë transparencë. Vit pas vit është arritur të përfitohet një sasi e madhe ari në Rubik, në një kohë që thesari i shtetit ka përfituar një sasi krejt të papërfillshme të tij. Ish-ministri i Financave, Andrea Nako, me anë të një njoftimi sekret të datës 9 tetor 1987, njoftonte kryeministrin e asaj kohe se nga prodhimi i Rubikut sigurohen rreth 120 - 130 kg ar në vit. Për vitet 1968 – 1990, duke marrë si prodhim minimal shifrën e 120 kilogramëve në vit, janë siguruar rreth 2 640 kg ar. Ndërsa sipas dokumenteve shtetërore figuron që të jenë dorëzuar në thesar vetëm 1 777 kg ar. Largësia midis dy sasive është 873 kg ar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›