E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2009, sa ka kushtuar paraprakisht fushata për xhepat e shqiptarëve

Këto zgjedhje kushtuan 40 milionë lekë më shumë se ato të vitit 2005. Plot 700 milion lekë u parashikuan nga buxheti këtë vit për KQZ-në

Ervin KOÇI

Shqiptarët po i paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë zgjedhjet elektorale, edhe pse ato ende nuk janë cilësuar si të standardeve europiane. Këtë herë zgjedhjet e 28 qershorit mund të konsiderohen si më të shtrenjtat, edhe pse shifrat e sakta që janë shpenzuar për to është shpejt për t’u mësuar. Plot 700 milion lekë ishin parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këto para janë përdorur për fletën e votimit, pagesën e komisionerëve apo kamerat vëzhguese. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kostoja e këtyre zgjedhjeve është 40 milionë lekë më shumë sesa ato që u mbajtën për parlamentin e vitit 2005. Nga ana tjetër edhe fondi i partive politike është rritur, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2005. Sipas ekspertit Kristaq Kume, në këtë pikë ka vend për të diskutuar, pasi asnjë nga subjektet politike nuk e ka bërë transparencën e parave të fushatës së tij, edhe pse shumat e shpenzuara ia kalojnë disa herë shifrave të dhëna nga buxheti i shtetit. Partitë politike nuk kanë respektuar asnjëherë ligjin, i cili i detyron ato të deklarojnë financimet apo donacionet, që përdorin për fushatë elektorale. Por pavarësisht standardeve që premtohen në këto zgjedhje, sërish në këtë pikë të ligjit, është e sigurt se do të kemi një standard të dështuar. Nga ana tjetër kemi edhe shpenzimet e larta të qeverisë dhe huamarrjen e shumtë e cila është justifikuar me investimet për qëllime elektorale dhe nga ana tjetër ka thelluar borxhin publik.

Rënia e lekut

Një ditë pas përfundimit të votimeve parlamentare, leku ka pësuar “rënie të lirë” në tregun valutor, duke humbur terren ndaj të gjitha valutave dhe arit. Rënia më e madhe është shënuar në shkëmbimet ndaj paundit britanik dhe ndaj jenit japonez. Monedha vendase ka humbur vlerë edhe ndaj euros dhe ndaj dollarit amerikan, të cilët janë kuotuar përkatësisht dje, sipas vlerësimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 129.34 dhe 92.35 lekë të reja. Euro është rivlerësuar me 0.97 lekë dhe USD me 0.96 lekë. Një lëvizje e tillë ishte parashikuar nga BSH-ja. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së u shpreh se “ndikimi i nënçmimit të kursit të këmbimit pritet të shfaqet më i plotë gjatë muajve në vijim, duke ekuilibruar presionet e reduktuara inflacioniste të kërkesës së brendshme”. Ky parashikim lidhet me lëvizjen e vlerës së lekut në ulje gjatë gjithë periudhës së fundit disamujore. Por, një konstatim i tillë u duk i çuditshëm në një kohë kur, zakonisht, leku bëhet më i kërkuar në treg, si pasojë e ardhjes së emigrantëve në atdhe për pushimet verore. Gjatë muajve të sezonit veror ata sjellin me vete valutë, që e thyejnë me monedhën vendase, duke rritur kërkesën për këtë të fundit, gjë që sjell rritjen e vlerës së lekut. Por, këtë herë nuk po ndodh kështu.

Arsyet

Banka qendrore ka vlerësuar drejt faktin se prurjet e emigrantëve, të cilët banojnë në vendet e prekura më keq nga kriza globale, kanë ardhur në rënie të vazhdueshme, duke i hequr ekonomisë shqiptare një ndihmë të konsiderueshme dhe familjeve vendase një mbështetje të pazëvendësueshme për shpenzimet e përditshme. Përveç kësaj, këtë herë ajo çka mund të ketë ndikuar në rënien e vlerës së lekut duhet të ketë qenë edhe faktori zgjedhje. Tradicionalisht, gjatë periudhës së “ndeshjeve” elektorale, në treg qarkullojnë sasi të mëdha parash, të cilat, po të jenë lekë, sjellin dobësimin e pozitës së këtij të fundit në këmbimet me valutat e tjera.

Mungesa e parave shtyn kompensimin monetar të ish-pronarëve

Qeveria kishte premtuar se fondin për ish-pronarët do ta shpërndante brenda muajit qershor 2009, madje para zgjedhjeve. Por fushata mbaroi, ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, deklaron se shuma prej 600 milionë lekësh e akorduar nga buxheti i shtetit do të shpërndahet në muajin shtator. Ky fond është planifikuar për vitin 2009 dhe prek disa kategori ish-pronarësh që iu është njohur toka e zënë nga shteti apo në formë ilegale. Ndërkaq, procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave po ecën normalisht dhe sipas të gjitha parashikimeve. Drejtues nga AKKP-ja bëjnë me dije se kriteret për përcaktimin e fituesit nuk kanë ndryshuar. Nga fondi prej rreth 6.5 milionë dollarësh përfitojnë subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim. Ata do të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme.
Ashtu siç është aplikuar edhe vitet e mëparshme, do të bëhet për vetëm deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Deri tani, që nga fillimi i procesit në vitin 2005, për kompensimin monetar të ish-pronarëve kanë përfituar rreth 500 individë, kurse qeveria ka shpenzuar rreth 20 milionë dollarë.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›