E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, rreth 60 për qind e pyetjeve do të jenë nga programet orientuese



Jonida Tashi

Testet e provimeve me zgjedhje për rreth 47 mijë maturantë që do të konkurrojnë këtë vit për në universitet, do të nisin të hartohen në datën 4 korrik. Duke nisur nga kjo datë deri në 10 korrik, ditë në të cilën do të mbahen provimet me zgjedhje, specialistët e hartimit të testeve për 12 lëndët me zgjedhje të Maturës, do të izolohen në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) për të përgatitur tezat e provimit për secilën prej tyre. Burime nga AVA shpjegojnë se 60 për qind e pyetjeve në testet e provimeve me zgjedhje do të jetë nga programet orientuese që janë shpërndarë nëpër shkolla për çdo lëndë. Në bazë të urdhrit të ministrit të Arsimit për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2009, përzgjedhja e pyetjeve të testit për secilin nga provimet me zgjedhje, do të bëhet nga specialistë të caktuar prej kreut të Arsimit, që emërtohen Përgjegjës të Testit Përfundimtar (PTP). Këta specialistë, që janë mësues të lëndëve përkatëse, do të përzgjedhin pyetjet e testit nga banka e pyetjeve, të krijuar nga ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në bazë të programeve orientuese, në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluar të AVA-s. Menjëherë pas përzgjedhjes së pyetjeve të testit nga rreth 17 ekspertë dhe nëpunës të AVA-s, kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.
Pyetjet
Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 80 pikë për dy provimet me zgjedhje. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet provimeve me zgjedhje do të jete 4 orë. Testet e provimeve me detyrim dhe me zgjedhje të Maturës 2009 do të vlerësohen me të njëjtin standard. Për vlerësimin e tyre, specialistët e arsimit, kanë vendosur të përdorin të njëjtën procedurë që është ndjekur gjatë Maturës 2008. Rregullorja e Maturës Shtetërore 2009, përcakton qartë procedurat që do të zbatohen për vlerësimin e testeve. Kështu, sipas kësaj rregulloreje, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës do të bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Sakaq, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Ndërsa shpallja e rezultateve do të bëhet jo më vonë se 15 ditë, pas çdo provimi të Maturës.
Akademitë
Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Gara e provimeve për këtë vit përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këto profile akademike, do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këto kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t’i atribuohet mesatares së shkollës së mesme. Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e Arkitekturës, e cila do të japë dhe pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë, të kenë aftësi edhe në fusha të tjera, të cilat janë të domosdoshme.

Procedura për hartimin e testeve
Për të gjitha lëndët e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore në sesionin e parë veprohet sipas kësaj procedure:
MASH-i dërgon zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore të hartuara nga komisionet e ngritura.
Pas marrjes së programeve orientuese, drejtori i AVA-s miraton ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Me propozimin e specialistëve lëndorë të AVA-s ai emëron anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Ata angazhohen në punë pas nënshkrimit të kontratave të posaçme, të cilat vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit.
Specialistët lëndorë të AVA-së trajnojnë çdo anëtar të grupeve lëndore të hartimit të testeve, pas emërimit të tyre.
Çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 10 (dhjetëfishi) i kërkesave që do të përmbajë testi.
Pilotimi i njohjes së karakteristikave të kërkesave, procedurave logjistike dhe administrative për realizimin e provimit kryhet nga fondi i kërkesave të hartuara nga çdo grup lëndor, nën drejtimin e specialistit lëndor.
Përzgjedhja e testit të lëndës bëhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit e Shkencës, që emërtohen përgjegjësa të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit(KOEPS), brenda ambienteve të izoluara të AVA. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

12 lëndët me zgjedhje
Histori
Gjeografi
Njohuri për Shoqërinë
Ekonomi-Filozofi
Fizikë
Kimi
Biologji
Anglisht
Histori
Frëngjisht
Italisht
Gjermanisht
Spanjisht

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›