E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Partitë të impenjohen seriozisht për reformën

TIRANË Domosdoshmëria për gjetjen e një konsensusi mes palëve për reformën e ardhshme zgjedhore po theksohet shumë kohët e fundit nga faktori ndërkombëtar. Në një kohë kur drejtuesit e partive politike nuk kanë asgjë konkrete lidhur me reformën, dy ditët e fundit në Tiranë, kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit ka theksuar nevojën e fillimit sa më shpejt të negociatave. Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe OSBE-ja. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka përsëritur apelin për bashkëpunim mes palëve. “Presim nga partitë politike ta marrin seriozisht reformën. Duhet mirëkupim dhe kontribut nga partitë. E rëndësishme është që të vazhdojë puna në Kuvend”, - tha Wollfarth pas një takimi të mbajtur në Durrës, ku ishte i ftuar në ceremoninë e mbylljes së shkollës verore të grave të zgjedhura si kandidate këshillash bashkiakë dhe komunalë, në kuadër të projektit për gratë në qeverisje. Wollfarth foli dje edhe për situatën në gjyqësor. “Duhet reformë në gjyqësor. Në Shqipëri ka vonesa për proceset gjyqësore”,- nënvizoi ambasadori i OSBE-së. Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e zhvilluar, ambasadori i OSBE-së ka theksuar se edhe pse rezultatet paraprake për këshillat bashkiakë dhe komunalë treguan një rritje të lehtë të numrit të grave, rezultatet për kryetarët e bashkive dhe komunave ishin më pak të favorshme në krahasim me vitin 2007.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›