E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Lushnjes” Akuzës i humbet dosja e Selmanit, dëshmitarit kyç të 6 vrasjeve



Dy vjet pas nisjes së procesit për pjesën e dytë të bandës, një memo e avokatëve mbrojtës e bërë për çdo seancë, zbulon se prokuroria ka harruar çështjen e Gramoz Selmanit, duke e ngatërruar atë nga i akuzuar për vrasje në ngjarjet e Lushnjes, në dëshmitar. Dëshmia e Qevanit: Për një gërvishtje makine, Aliçkaj më kërkoi dhe dhunoi 13 milionë lekë

“Humbja” e dosjes së Gramoz Selmanit, mikut të ngushtë të Artur Dajës, i njohur si rivali i Aldo Bares, ka bërë që prokurorët e çështjes të ndihen ngushtë dhe të humbasin dëshmitarin kyç, ku provohen 6 vrasje për të cilat akuzohen “Banda e Lushnjës”. Dosja e tij nuk gjendet as në Elbasan dhe as në Lushnje, ku janë hetuar dhe gjykuar më parë anëtarët e bandës, ndërkohë që materialet e dosjes nuk i disponojnë as prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo sjell rrëzimin e deklarimeve të tij të marra në Athinë nga hetuesit dhe kërkimin e marrjes së dëshmisë së tij si i pandehur në gjykatë. Dhe gjithçka u zbulua dje në sallën e gjyqit, kur afro dy vjet pas nisjes së procesit për pjesën e dytë të bandës, një memo e avokatëve mbrojtës e bërë për çdo seancë, zbulon se prokuroria ka harruar çështjen e Gramoz Selmanit, duke e ngatërruar atë nga i akuzuar për vrasje në ngjarjet e Lushnjes, në dëshmitar. Dhe nuk akuzohet për një, por për 6 vrasje, në krah të Artur Dajës. Gjykata kishte pranuar më parë ta pranonte dëshminë e tij, marrë në Greqi, por me zbulimin e fakteve se Selmani ka qenë i pandehur, gjykatësit e refuzuan dëshminë, duke vënë në vështirësi prokurorinë për vërtetimin e akuzave. Në memon e tyre, avokatët këmbëngulën se Gramoz Selmani akuzohet për gjashtë vrasje dhe ka kontradikta në pozicionin e tij në ngjarjet e Lushnjes, madje për të ekzistonte masë arresti në mungesë, ndërsa nuk ka asnjë vendim nga Prokuroria e Lushnjes për pushim të hetimeve. Por, ajo që e bën më kompleks faktin është se ende nuk është e qartë se në ç’rrethana Selmani ka dalë nga lista e të akuzuarve, por me përjashtimin e tij, tashmë edhe nga lista e dëshmitarëve, akuza humbi njeriun kyç që kishte provuar vrasjen e gjashtë personave nga “Banda e Lushnjës”. Madje, siç edhe është deklaruar përgjatë seancave, për të marrë dëshminë e tij, oficerët kishin udhëtuar deri në Athinë, pasi sjellja e tij këtu i rrezikonte jetën.

Dëshmia

Tmerr, ankth, pagjumësi, dhunë dhe pasiguri për jetën. Stres i përditshëm dhe tmerr psikologjik për gjithë familjen. E kanë shoqëruar gjatë disa muajve të vitit 2002 vetëm për një gërvishtje të vogël makine, për të cilën njëri nga të pandehurit e “Bandës së Lushnjës, Arian Aliçkaj, i kërkoi 13 milionë lekë dëmshpërblim. “Pa dashje kam gërvishtur një makinë dhe kam vazhduar rrugën. Kur shkoj në shtëpi pas disa orësh, nëna më thotë se një makinë e blinduar dhe disa djem më kishin kërkuar. Nuk e kisha idenë se për çfarë bëhej fjalë. Më vonë mësoj se makina që kisha gërvishtur i përkiste Arian Aliçkos, për të cilën jam rrahur dhe jam shoqëruar në komisariatin numër 2, siç i thonin. Aty jam dhunuar dhe më kanë kërkuar dëmshpërblim 13 milionë lekë për atë gërvishtje. U thashë nuk kam se ku t’i gjej. Më thanë se do ma ulnin shumën, t’u jepja 2 milionë lekë. Edhe ato nuk kisha ku t’i gjeja. U nisëm me makinë për te një miku im që kishte një pikë “Western Union”, për t’i kërkuar ndihmë atij. Rrugës makina ndalohet nga një grup policësh, njëri prej të cilëve më pyeti pse isha i gjakosur. I thashë se kisha pësuar aksident me biçikletë. Shkova te miku im dhe i kërkova borxh dhe më dha 2 milionë, të cilat në një cep të rrugës ia dorëzova Arianit. Donin të më mbanin edhe makinën, por ndërhyri vëllai i Arianit, Sajmiri dhe i tha të ma kthenin”, - vijoi dëshmia e Niko Qevanit, njërit prej dëshmitarëve që ka pasur vetë përplasje me anëtarët e bandës. Më pas, dëshmitari, shpesh edhe duke shkaktuar ilaritet në sallë, tregonte për rastet tepër koincidente kur takonte personin me të cilin pati përplasje. Madje, një herë të vetme që i pandehuri Aliçkaj me të tjerët nuk e kishte parë, tentoi të ikte nga lokali pa u ndier, por për fat të keq iu rrëzua karrigia dhe u konstatua nga pjesëtarët e grupit. “Ku shkon, duhet të na paguash peshkun dhe gjithë tavolinën, më tha Ariani”, - u shpreh dëshmitari, i cili nuk kishte paguar dhe ishte larguar menjëherë. Por, nuk ishte hera e parë, pasi rasti do ia sillte edhe disa herë të tjera para syve personin që i kërkoi 13 milionë lekë për një gërvishtje të vogël makine. Në përfundim të dëshmisë së tij u paraqitën edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët nuk patën ndonjë element të rëndësishëm që të ndihmonte akuzën në dëshmitë e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›