Zgjedhjet, PD shkrin strukturat në bazë
TIRANË- Partia Demokratike hap fushatën e zgjedhjeve brenda saj, në funksion të sistemit të ri zgjedhor të miratuar në Kuvend. Anëtarët e kryesisë nuk kanë humbur kohë dje gjatë diskutimit të udhëzimit të miratuar nga strukturat organizative të partisë. Një mbledhje që ka zgjatur vetëm 60 minuta dhe pa ndonjë debat thelbësor ka vendosur përfundimisht shkrirjen e 100 nëndegëve të ngritura deri më tani nga kjo seli e cila korrespondonte me mbulimin e 100 zonave elektorale, sipas sistemit të vjetër zgjedhor.Por me miratimin e sistemit të ri zgjedhor, atë proporcional rajonal, anëtarët e kryesisë kanë vendosur që të bëjnë një riorganizim të ri për t’iu përshtatur ndarjes së re sipas qarqeve. “I gjithë organizimi i Partisë Demokratike duhet të përputhet me organizimin elektoral të vendit, çka bën të domosdoshme mënjanimin e strukturave organizative të Partisë Demokratike, e cila ka qenë në përputhje me zonat elektorale. Kryesia e Partisë Demokratike miratoi mënyrën e re të organizimit të të gjithë strukturave të PD-së dhe fillimin e procesit zgjedhor brenda strukturave të PD-së. Njësia më e spikatur në PD, ka qenë nëndega që kishte një përputhje me zonat elektorale. Tani zonat elektorale nuk funksionojnë më”,- tha dje mbrëmë Bode, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Sipas udhëzimit të djeshëm të miratuar nga kryesia e PD-së, çdo komunë do të ketë një grup seksionesh dhe çdo bashki do të ketë po një grup seksionesh. Niveli tjetër më i lartë se grupseksionet do të jetë dega e partisë që përputhet me nënprefekturën ose rrethin siç thuhet në zhargonin e vjetër. Dega, sipas udhëzimit të mbrëmshëm, do të jetë njësia më e organizuar dhe njësia drejtuese më kryesore territoriale. Ndërsa niveli tjetër më i lartë do të jetë qarku, i cili përputhet me zonën elektorale të sotme. Qarku sipas vendimit të kryesisë do të drejtohet nga një grup individësh, por edhe nga një koordinator që zgjidhet nga strukturat e PD-së. Pra, për herë të parë, Partia Demokratike ka futur edhe termin e koordinatorit. Në çdo qark, PD do të përcaktojë një koordinator që do të koordinojë punën mes qarkut dhe selisë qendrore të partisë. E gjitha sa më sipër është shpjeguar dje në mbledhjen e kryesisë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Udhëzimi, edhe pse me disa paqartësi të evidentuara nga anëtarët e kryesisë, është miratuar në mënyrë unanime, ndërkohe që datat e fillimit të këtij riorganizimi do të përcaktohen në një afat të dytë. E rëndësishme është që ky proces, sipas anëtarëve të kryesisë, të përfundojë brenda një periudhë kohore prej tre muajsh.