E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama te të moshuarit: Do tju kthejmë dinjitetin

“Dita Ndërkombëtare e Moshës së Tretë”, bashkoi në një atmosferë festive kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama me të moshuarit e kryeqytetit. Ai theksoi para tyre detyrimin që politika shqiptare në radhë të parë, dhe i gjithë komuniteti, duhet t’i kushtojë këtij brezi.

Në fjalën e tij, Rama preku disa nga problemet thelbësore dhe jetike me të cilat përpallen pensionistët në shoqërinë shqiptare, duke theksuarvështirësitë e tyre ekonomike , mungesën e minimumit jetik, pamundësinë sociale për tu integruar në rrjedhën e së përditshmes, në jetën komunitare dhe shoqërore, mungesën e nevojave themelore.

Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës por edhe si lider i opozitës, Rama u premtoi atyre rikthimin e dinjitetit të munguar gjatë këtyre 17 viteve të qeverisjes në Shqipëri, duke u ofruar vëmendjen dhe gadishmërinë e Bashkisë së Tiranës dhe strukturave të saj, për përmirësimin e jetesës së kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë sonë.

“Sot e gjithë ditën, 17 vjet, më vonë pas rënies së regjimit të shkuar, në këtë vend, asnjëra nga qeveritë nuk ka arritur të shpallë minimumin jetik. Mosshpallja e minimumit jetik, është nga njëra anë shprehja e mungesës së plotë të një vizioni qeverisës dhe gjithpërfshirës për moshat, për kategoritë shoqërore por është nga ana tjetër edhe shtegu më i gjerë për të abuzuar me ata që janë më shumë në nevojë dhe me pensionistët dhe pensionistet në radhë të pare, duke u treguar shifra të pakuptimta”- tha ai.

Rama e ka cilësuar tallëse atë që bën kryeministri ynë, daljen përpara shqiptareve dhe shqiptarëve të moshës së tretë për tu deklaruar rritje pensionesh, ndërkohë që nuk di të sqarojë se pse edhe pas rritjes, kjo kategori me zor nxjerrin muajin dhe nuk përballojnë dot as nevojat më elementare.

“Ne jetojmë në një botë që fluturon përpara, sot ne jetojmë në një rajon që vrapon përpara.Ne nuk kemi lindur për të qenë zvarranikët e Ballkanit”- tha ai, duke shtuar se ne jemi lindur për të qenë europianë, qytetarë dhe qytetare që pavarësisht atyre vështirësive objektive që nuk mund t’i kapërcejmë menjëherë, meritojmë të kemi, duhet të kemi dhe do të kemi dinjitetin tonë si persona, si individë, si njerëz që jetojnë mbi të drejtën që na ka dhënë Perëndia dhe natyra dhe mbi kontributin e punës sonë të ndershme.

Në këtë ditë të moshuarit janë vizituar edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili u ka premtuar atyre se qeveria që drejton është e angazhuar për t’i ndihmuar dhe se i ka gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›