E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Tirana dhe Elbasani, beteja e kryetarëve të partive

Katër kryetarë partish vendosin të kandidojnë në Elbasan. Berisha dhe Meta në Tiranë, Mediu do të kandidojë në 12 qarqe

Eljona Ballhysa

Kryetarët e partive politike parlamentare do ta përqendrojnë betejën elektorale në dy qarqet e Shqipërisë së Mesme, pikërisht në Tiranë e Elbasan. Shumica e kryetarëve të partive të vogla kanë vendosur të kandidojnë në Elbasan. Deri tani janë katër kryetarë partish, të cilët kanë deklaruar se do të kandidojnë në qarkun e Elbasanit. Zgjedhja për të kandiduar në qarkun e Elbasanit duket se ka të bëjë më shumë me një lëvizje taktike, pasi ky qark konsiderohet qarku i dytë me pragun më të ulët elektoral. Ndërsa në qarkun e Tiranës, ku pragu elektoral është më i ulëti, do të kandidojë kryetari i PD-së Berisha dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, të cilët, sipas burimeve, nuk do të kandidojnë në qarqe të tjera. Ndërsa kryetarët e partive të vogla, përveç Elbasanit, do të jenë të parët në listë edhe në qarqe të tjera të vendit, ku mendojnë se gëzojnë mbështetjen e elektoratit. Ndryshe nga të tjerët, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pritet të kandidojë në të 12-të qarqet e vendit dhe në zgjedhjet e qershorit kjo mundësohet nga dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor. Këtë e konfirmoi dje nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Garuli, i cili u shpreh se Mediu nuk po shkel ligjin, përkundrazi, po respekton një dispozitë të Kodit Zgjedhor.
Qarqet
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ka deklaruar se do të kandidojë në qarkun e Elbasanit, ku gëzon dhe pjesën më të madhe të elektoratit të tij. Gjithashtu mësohet se Ceka nuk do ta vendosë emrin në listë në asnjë qark tjetër. Pra ai do ta përqendrojë fushatën e tij elektorale në qarkun e Elbasanit. Po në Elbasan do të kandidojë dhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Burimet bëjnë të ditur se Milo, përveç Elbasanit, ka zgjedhur të kandidojë dhe në qarkun e Vlorës. Duket se Milo do të përballet ashpër me ish-kryetarin e partisë së tij të dikurshme, Skënder Gjinushi, të Partisë Social Demokrate. Gjinushi, ashtu sikurse Milo, do të jetë i pari në listë në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Vlorës. Në Elbasan do të kandidojë dhe kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, pritet të kandidojë në qarkun e Beratit dhe në atë të Vlorës. Ndërsa Nikollë Lesi ka deklaruar se do të kandidojë vetëm në qarkun e Lezhës. Nard Ndoka, sipas burimeve, ka piketuar të jetë i pari i listës në qarkun e Shkodrës, ku lufta pritet të jetë e ashpër mes tij dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit. Në qarkun e Tiranës do të kandidojnë kryetari i PD-së, Sali Berisha, ai i LSI-së, Ilir Meta, si dhe kryetari i G99-s, Erion Veliaj. Ky i fundit mësohet se do të kandidojë dhe në qarkun e Beratit. Madje burimet bëjnë të ditur se Veliaj ka filluar me kohë fushatën në Berat.
Pragu
Qarku i Tiranës dhe ai i Elbasanit kanë pragun më të ulët elektoral, çka favorizon fitoren më të lehtë të një mandati për deputet. Në bazë të Kodit të ri Zgjedhor, i cili përcakton se në Tiranë pragu elektoral do të jetë vetëm 3.2% dhe në Elbasan 7.1%. Në Tiranë, nga zgjedhjet e qershorit, do të dalin 32 deputetë, ndërsa në Elbasan do të dalin 14 deputetë. Sipas Kodit Zgjedhor, në Berat pragu elektoral është 12.5% dhe numri i deputetëve që do të dalin është 8. Në Dibër pragu është 16.6% dhe numri i deputetëve është 6. Në Durrës pragu është 7.6% dhe numri i deputetëve 13. Në Fier pragu është 6.25 dhe numri i deputetëve është 16. Në Gjirokastër pragu elektoral është 20% dhe numri i deputetëve 5. Në Korçë pragu elektoral është 8.3% dhe numri i deputetëve është 12. Në Lezhë pragu elektoral është 14.2 % dhe numri i deputetëve është 7. Në Kukës pragu është 25% dhe numri i deputetëve është 4. Në Shkodër pragu është 9% dhe numri i deputetëve është 11. Në Vlorë pragu është 8.3% dhe numri i deputetëve 12. Ashtu sikurse dihet, sa më i ulët të jetë pragu elektoral, aq më të mëdha janë shanset për të fituar për një kandidat për deputet.

Kryetarët Partitë Qarqet

Paskal Milo PDS Elbasan –Vlorë
Skënder Gjinushi PSD Elbasan – Vlorë
Neritan Ceka PAD Elbasan
Arian Starova PBLD Elbasan
Ilir Meta LSI Tiranë
Sali Berisha PD Tiranë
Erion Veliaj G99 Tiranë –Berat
Lufter Xhuveli PAA Berat –Vlorë
Nikollë Lesi PLD Lezhë
Fatmir Mediu PR Fier +11 qarqe
Nard Ndoka PDK Shkodër

Zgjedhjet 2009, kryetarët e partive mund të kandidojnë njëkohësisht në të 12-të qarqet

Kodi i ri Zgjedhor rezulton të jetë më favorizues në krahasim me Kodin e mëparshëm përsa i përket garantimit të shanseve të kryetarëve të partive të vogla për të siguruar mandatin e deputetit. Nëse në Kodin e mëparshëm kryetarëve të partive u sigurohej e drejta për të vendosur emrin të parin në listën proporcionale kombëtare, e njëjta gjë, por me përmasa më favorizuese, do të ndodhë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, kryetarët e partive të vogla kanë të drejtë që të vendosin të parin emrin e tyre në listë në të 12-të qarqet njëkohësisht. Thënë më qartë, kryetari i një partie mund të jetë i pari i listës së partisë së tij, si në qarkun e Tiranës, ashtu edhe në qarkun e Shkodrës, të Durrësit, Fierit etj. Një gjë e tillë sanksionohet në pikën 3 të Nenit 67 të Kodit të ri Zgjedhor, ku thuhet se kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. Aktualisht kryetarët e partive të vogla kanë deklaruar se do të refuzojnë të shfrytëzojnë këtë hapësirë të Kodit, megjithatë, priten surpriza. Lista e kandidatëve për deputetë do të depozitohet në KQZ 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe deri atëherë shumë prej kryetarëve të partive të vogla pritet të vendosin emrat e tyre si kryesues të listave në pjesën më të madhe të qarqeve.

Llogaritja e pragut elektoral
Numri i votuesve të regjistruar në qarkun e Tiranës është 660 505. Mbi bazën e këtij numri, qarku i Tiranës do të ketë 32 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Duke qenë se pjesëmarrja në votime tradicionalisht (jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë) ka qenë rreth 50%, atëherë pritet që numri i votave në këtë qark të jetë 330 252. Duke e pjesëtuar këtë numër me 32 (numrin e deputetëve), rezultati del 10 320, të cilat janë votat që duhen për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark. Shumëzimi i këtij numri me 100 dhe më pas pjesëtimi i shumës me numrin e mundshëm të votuesve përcakton edhe shifrën e pragut elektoral. Pra 10320 x 100= 1 320 000/ 330 252= 3.2%

Qarku Numri i Votuesve Nr. i deputetëve Pragu
Berat 150871 8 12.5%
Dibër 116431 6 16.6%
Durrës 265180 13 7.6%
Elbasan 282528 14 7.1%
Fier 327918 16 6.25%
Gjirokastër 112728 5 20%
Korçë 246700 12 8.3%
Kukës 66375 4 25%
Lezhë 135890 7 14.2%
Shkodër 218560 11 9%
Tiranë 660505 32 3.2%
Vlorë 257258 12 8.3%

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›