E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet “blindojnë” Tiranën, policia në ditën e 5-të të gatishmërisë

Tiranë- Situata postzgjedhore në Tiranë ka futur policinë në ditën e pestë të gatishmërisë së lartë. Të gjithë efektivët e policisë së kryeqytetit janë në detyrë me orare të zgjatura, ndërsa post-blloqe të tëra janë vendosur në pikat kryesore të Tiranës. Prezencë e shtuar policore është vënë re në akset hyrëse dhe dalëse të Tiranës, pranë institucioneve të rëndësishme, si dhe pranë qendrave të numërimit të votave. Burime konfidenciale nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se gjendja e gatishmërisë është vendosur disa ditë përpara zgjedhjeve të 8 majit dhe pritet të vijojë deri në një afat të papërcaktuar, i cili mund të kuptohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar për Tiranën. Mësohet se prej disa ditësh, uniformat blu janë duke ushtruar kontrolle të shumta në disa zona të etiketuara si të “nxehta”, për të evidentuar dhe arrestuar persona të shpallur në kërkim, ose persona që posedojnë pa leje armë zjarri. Ky kontroll është shtrirë dhe në akset kryesore të kryeqytetit. Por nga ana tjetër, objektivi kryesor i tyre ka qenë ruajta e KZAZ-ve dhe KQZ-së, si institucionet më të rëndësishme në këtë periudhë. Burime konfidenciale nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se forca të shumta police janë shpërndarë gjatë mbrëmjes së djeshme në akset hyrëse dhe dalëse të Tiranës, për të pasur nën kontroll mbërritjen gjatë ditës së sotme të mbështetësve të Partisë Socialiste, pas thirrjes së bërë gjatë mbrëmjes së djeshme nga ana e deputetit Erjon Braçe. Ky i fundit u bënte thirrje gjithë mbështetësve të PS-së të vinin në Tiranë dhe të mblidheshin përpara KQZ-së për të mbrojtur votën, pas pretendimeve se rezultati po synohet të ndryshohet në tavolinë. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›