E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë KZAZ kërkesë KQZ-së: 108 votat të përfshihen në rezultat

Tiranë- Komisionerët demokratë i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përfshijë në rezultatin për Tiranën 108 fletë votimi, të gjetura në kutitë për kryetarët e njësive bashkiake. “Mapo” zbardh kërkesat e mbërritura në KQZ, nga pesë KZAZ të Tiranës, të cilët kërkojnë të merret një vendim mbi këto fletë, që sipas komisionerëve të PD-së ndryshojnë rezultatin për Bashkinë e Tiranës. Janë gjithsej 5 KZAZ në Tiranë, të cilat kanë pretenduar këto gabime, ndërsa në një prej këtyre KZAZ-ve, pretendimi nuk është për votat e hedhura gabimisht, por për votat e kontestuara. Bazuar në kërkesat dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ankimimi i parë ka ardhur nga KZAZ 51 e njësisë 7, ku kërkohet numërimi i fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, por pa përcaktuar qartë numrin e pretenduar, duke i kërkuar KQZ-së të bëjë këtë verifikim. Një tjetër kërkesë ka ardhur nga KZAZ 46 e njësisë 2, ku pretendohet se janë gjithsej 31 fletë votimi të kontestuara, për shkak se janë hedhur gabimisht në kutitë për kryetar të njësive. Nga KZAZ 55 ka ardhur kërkesa për numërimin e 46 fletëve të votimit, të hedhura në kutinë e gabuar, të cilat sipas komisionerëve të PD-së shprehin qartë vullnetin e votuesit. Ndërsa nga KZAZ 48, e njësisë 4, ka pasur kërkesë për 19 fletë të tilla. Nga ana tjetër, edhe KZAZ 54 i ka nisur një kërkesë të ngjashme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet rinumërimi i 12 fletëve të votimit, por kësaj here motivimi i kërkesës ka lidhje me fletët e hedhura gabimisht, por që janë llogaritur si të pavlefshme. Sipas anëtarëve demokratë të kësaj KZAZ-je, janë 12 fletë votimi që janë quajtur të pavlefshme, për shkak të presionit të ushtruar nga komisionerët socialistë, që kishin shumicën në këtë KZAZ. Kërkesa e komisionerëve demokratë, drejtuar KQZ-së, e konsideron shpalljen e tyre të pavlefshme, nën presionin e palës socialiste, duke kërkuar rivlerësimin e tyre. Shumatorja e të gjitha pretendimeve të deritanishme të komisionerëve demokratë drejtuar KQZ-së është të paktën 108 vota, bazuar te pretendimet pa llogaritur pretendimin e KZAZ-së nr.51, e cila nuk e ka përcaktuar numrin e votave që kërkon të numërohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›