KQZ, rivlerëson votat e Tiranës, PS ngujohet në sallë
Tiranë- Tensioni ka mbizotëruar për orë të tëra në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi deputetët e Partisë Socialiste zbarkuan në sallën e mbledhjeve, rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme. Dhjetëra forca policie rrethuan KQZ-në, ndërsa kryetari Arben Ristani u kërkoi deputetëve të PS-së të largoheshin nga salla, në mënyrë që të vijonte mbledhja për votat e gjetura në kutitë e gabuara. Deputetët e PS-së kanë refuzuar një kërkesë të tillë, duke u “ngujuar” brenda sallës për gjashtë orë. E ndërsa situata e pazakontë në KQZ transmetohej live nga disa televizione, në ambientet e jashtme të këtij institucioni janë grumbulluar edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët qëndruan për orë të tëra në shi, në mbështetje të deputetëve. Në këtë situatë, Policia e Tiranës u vu menjëherë në gatishmëri dhe forca të shumta policie rrethuan të gjitha hyrjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, uniformat blu u vendosën dhe në akset rrugore, që lidhnin pjesën tjetër të Tiranës me këtë institucion, për të shmangur çdo incident të mundshëm. Hapësira e stadiumit “Qemal Stafa” u shndërrua në “parking” për automjetet e shumta të policisë, të cilat kishin mbërritur aty për të siguruar që situata të mos rëndohej më tej, duke pasur parasysh dhe thirrjet e përfaqësuesve të opozitës, për të mos u larguar nga salla e KQZ-së, derisa të niste mbledhja e lënë në mes nga ana e kryetarit Ristani. Ajo që ra në sy ishte prania e drejtuesve të Policisë së Tiranës, të cilët drejtonin nga afër të gjithë lëvizjet e efektivëve blu. Ndërkohë, mbështetësit e Partisë Socialiste, të cilët qëndruan për orë të tëra përpara KQZ-së, shprehen për “MAPO”-n se kanë ardhur të mbrojnë votat e tyre dhe se do rrinë aty, derisa drejtësia të vendoset në vend dhe të mos cenohet asnjë votë. “Pamë në televizor që deputetët socialistë hynë brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe erdhëm me vrap këtu, për të qenë në mbështetje të tyre. Kjo që duan të bëjnë është një gjë shumë e rëndë dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ne do rrimë këtu, derisa drejtësia të shkojë aty ku duhet dhe asnjë votë të mos preket” - shprehet i irrituar një i moshuar, mbështetës i PS. Ndryshe nga situata e qetë jashtë ambienteve të KQZ-së, në sallën e mbledhjeve mbizotëronte kaosi. Deputetët e PS-së kishin zënë vendet dhe qëndronin ulur në sallë. Situata u duk se kaloi kufijtë e normales, kur në sallën e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shfaq nëndrejtori i Policisë së Tiranës dhe disa vartës të tij, të shoqëruar nga zyrtari Alfred Spahiu. Sipas një vendimi të nxjerrë nga ana e KQZ-së kërkohej menjëherë largimi i deputetëve nga salla e mbledhjeve dhe rivendosja e qetësisë dhe për këtë ngarkohej Policia e Tiranës. Menjëherë pas këtij momenti nisën dhe debatet e shumta në sallë nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët deklaronin se nuk do të largoheshin nga salla dhe se nuk kishte asnjë të drejtë Policia e Tiranës, që të hynte brenda KQZ-së dhe aq më tepër të nxirrte prej andej deputetët e PS-së. Situata vazhdoi të jetë e tensionuar deri në orët e mbrëmjes, kur rreth orës 20:30, deputetët vendosën të largoheshin nga KQZ, por duke deklaruar se do të ktheheshin sërish ditën e sotme, për të mbrojtur votën dhe ftuan që të ishin të pranishëm të gjithë shqiptarët aty. Ndërkohë, forcat e shumta të policisë u larguan rreth 60 minuta përpara se deputetët të dilnin nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, pasi edhe personat e pranishëm rreth këtij institucioni ishin larguar.