“Bashkëpunimi, dëshmi për liberalizimin e shpejtë të vizave për shqiptarët”
Lufta kundër krimit, Shqipëria nënshkruan marrëveshje me EUROPOL-in
Lufta kundër krimit të organizuar pritet të marrë një dimension të ri, pas marrëveshjes së nënshkruar nga ministri i Brendshëm shqiptar Lulzim Basha me Drejtorin e Përgjithshëm të EUROPOL-, Rob Ëainëright. Marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi veprimtaritë kriminale mes zyrës së EUROPOL-it dhe autoriteteve policore shqiptare. Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Ministri Basha e cilësoi realizimin e kësaj marrëveshjeje një hap të rëndësishëm për Shqipërinë si në nivelin operacional të shkëmbimit të të dhënave edhe në nivelin institucional të reformimit të Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria është e vendosur në politikën e saj me tolerancë zero në luftën ndaj krimit të organizuar, e vendosur që atë arritje që ka sot në Ballkanin Perëndimor, si vendi me klimën më armiqësore ndaj krimit të organizuar, ta mbajë e ta çojë më tej duke siguruar një ambient të sigurt për qytetarët shqiptarë, qytetarët e rajonit dhe për qytetarët europianë, pra të eksportojë siguri drejt vendeve të BE.
“Arritja e kësaj marrëveshjeje është shenjë e besimit jo vetëm tek vullneti, por edhe tek kapacitetet e Shqipërisë për të punuar së bashku me autoritetet europiane në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë kuadër edhe një dëshmi më shumë për Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE, për sa i përket vendimit për heqjen së shpejti të vizave për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Basha.
Ndërsa, nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it Rob Ëainëright shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit midis EUROPOL-it dhe autoriteteve shqiptare për luftë kundër krimit të organizuar dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale.
“Jam informuar nga ministri për rezultatet impresionuese të programit të suksesshëm të reformave që po ndërmerren në vend. Ne kemi folur për një numër të konsiderueshëm të bandave kriminale që janë goditur dhe kjo po ofron një shembull të rolit udhëheqës që ka Shqipëria në rajon për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar. Jam shumë i impresionuar nga progresi që ka bërë Shqipëria. Kjo është edhe arsyeja për të cilën unë e përgëzova ministrin. Është e mirë për Shqipërinë dhe për kontinentin evropian si i tërë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it, Rob Ëainëright.
Gjatë qëndrimit në Hagë, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha pati një drekë pune me ministrin e Çështjeve Europiane të Holandës, Frans Timmermans.
Ministri Basha informoi Ministrin Timmermans mbi zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë reformat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për procesin e liberalizimit të vizave dhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Ministri Timmermans e siguroi ministrin Basha për mbështetjen e plotë që Holanda i ka dhënë dhe do të japë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.