Rrëzohet propozimi i Kreshnik Spahiut për transferim gjyqtarësh, pa pëlqimin e tyre
Pas kërkesës dhe argumenteve të Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani
Në mbledhjen e djeshme të KLD-së, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani kundërshtoi procedurën e transferimit të gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Sipas argumenteve të Ministrit Nishani, mësohet se, kjo procedurë është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo cenon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit. Pas debatit KLD pranoi këtë propozim të Ministrit të Drejtësisë si dhe vendosi të mos ketë transferim pa pëlqimin e gjyqtarëve si dhe vendosi të shpallë vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore.
Ndërkohë, KLD-ja, në mbledhjen e djeshme, miratoi dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda M. B. Ky vendim i Këshillit, passjell lejimin për kryerjen e hetimeve nga prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i K. Penal ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë’.
Pjesë e rendit të ditës dje për KLD-në, ishin edhe disa procedime disiplinore, nga të cilat Këshilli përfundoi shqyrtimin e dy prej tyre dhe konkretisht ndaj gjyqtarëve të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë Arian Aliaj dhe Manjola Bejleri, ndërsa u shtynë për shkaqe të justifikuara, katër procedime të tjera disiplinore ndaj katër gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
KLD-ja miratoi dje edhe 22 vende vakante për gjyqtarë.
Vendet vakante për gjyqtarë
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, 9 (nëntë) vende vakante
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, 7 (shtatë) vende vakante
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet, 4 (katër) vende vakante
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, 1 (një) vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, 1 (një) vend vakant