E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 23 qershorit, sot partitë mbyllin fushatën elektorale

TIRANË- Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme politike të 23 Qershorit mbyllet të premten në mbrëmje në të gjithë Shqipërinë për t'i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 23 qershor.

Partia Socialiste e opozitës organizoi të enjten në mbrëmje mitingun përmbyllës në Tiranë, ndërsa finalizimi zyrtar i fushatës së saj do të jetë mbrëmjen e sotme, në dy qytete njëkohësisht, Shkodër dhe Vlorë. 

Partia Demokratike do ta mbyllë fushatën elektorale mbrëmjen e sotme në Tiranë, me një miting në sheshin "Nënë Tereza", ku fillimisht pritet organizimi i një koncerti dhe më pas fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që do të përcjellë mesazhet e fundit para ditës së zgjedhjeve. 

Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, 66 subjektet politikë që do të konkurojnë në votime, shpalosën para elektoratit programet dhe alternativat e tyre për zhvillimin e vendit gjatë katër viteve të ardhshëm. 

Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin heshtjes zgjedhore. 

"Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore", thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.

Zgjedhjet e 23 qershorit do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.

Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Partitë politike janë grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike, me kryetar Sali Berishën, njëkohësisht kryeministër i vendit dhe koalicioni "Aleanca për Shqipërinë Europiane", i drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.

Dy partitë e reja në skenën politike shqiptare, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi konkurojnë të vetme në këtë zgjedhje, ndërsa janë dy kandidatët e pavarur që do të konkurojnë, Dritan Prifti, në qarkun e Fierit dhe Arben Malaj në qarkun e Vlorës.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›