Zgjedhjet e 8 majit mblidhet tryeza e partive

Mblidhet tryeza e partive politike për të diskutuar për zgjedhjet e 8 majit e thirrur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, me prani edhe të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri. Astrit Patozi ka propozuar një draft-marrëveshje ku partitë shprehin vullnetin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Propozojmë një draft-marrëveshje ku shprehet vullneti për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Le ta quajmë këtë si frut i një vullneti të përbashkët si një garanci më shumë për zgjedhjet e 8 majit”, është shprehur Patozi.
Në disa nga pikat e këtij drafti theksohet se partitë duhet të riafirmojnë pranimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Gjithashtu, sipas dokumentit, partitë duhet të angazhohet se do të përmbushin çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore duke i krijuar zgjedhësve mundësi të plota për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.