E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e ardhshme, të lira dhe të ndershme, KiE të dërgojë vëzhgues

10-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha  


Shqipëria i dorëzoi dje presidencën e KiE-së, vendit pasardhës, Andorës. Në një konferencë përmbyllëse “Diversiteti në Evropë – një forcë për të ardhmen”, drejtuesit e shtetit shqiptar vlerësuan arritjet e vendit gjatë mandatit 6 mujor të kryesimit të Komitetit të Ministrave të KiE-së. Në aktivitetin e organizuar në Tiranë morën pjesë përfaqësues të lartë të KiE-së, të 47 vendeve anëtare të KiE-së, vendeve vëzhguese, vendeve fqinje të Mesdheut, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe autoritete të tjera te larta. Si dhe të ftuarit specialë Jorge Sampaio, Përfaqësues i lartë i OKB për Aleancën e Qytetërimeve dhe ish-President i Portugalisë, Emma Bonino, Zëvendëspresidente e Senatit Italian, Sonja Licht, anëtare e Grupit të Personave të Shquar, hartues të raportit “Të jetojmë së bashku”, etj. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha duke vlerësuar presidencën shqiptare të KiE, ftoi anëtarët e Këshillit të Evropës dhe organizatave partnere, të vëzhgojnë nga afër zgjedhjet parlamentare që pritet të zhvillohen në Shqipëri në vitin 2013. Berisha siguroi se Qeveria do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Shefi i ekzekutivit vuri theksin tek toleranca fetare, “si një trashëgimi e shkëlqyer e kombit tonë” dhe deklaroi se “historia e Shqipërisë, pavarësisht kalvarit që kombi ynë ka kaluar në këto 100 vjet Pavarësi, është një histori suksesi”. “Toleranca e shkëlqyer fetare është një trashëgimi pozitive që shqiptarët e kanë ruajtur edhe në kohëra shumë të vështira. Për 100 vite, pavarësisht nga të gjitha format e regjimit, shteti shqiptar ka qenë dhe mbetet shtet laik dhe në këtë kontest mesazhi për miqtë dhe për të gjithë ata që kanë një vlerësim për tolerancën është se laicizmi i shtetit përbën një kusht themelor në mënyrë që besimet të mund të jetojnë në paqe dhe harmoni”, tha Kryeministri Berisha. “Sot vendi ynë është anëtar i NATO-s dhe kryeson institucionin më të vjetër demokratik të Evropës, Këshillin e Evropës. Sot vendet e Evropës janë miqtë më të mirë për shqiptarët dhe kanë dhënë kontribut thelbësor që shqiptarët të jenë të lirë kudo që ndodhen. Kanë dhënë kontribut të madh në ndërtimin e vlerave të demokracisë, të bazuar në vlerat e tregut dhe mbështesin përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e BE-së, ndaj dhe ne shprehim mirënjohjen tonë ndaj tyre”, tha Berisha. Duke u ndalur te objektivat e presidencës shqiptare të KiE, kreu i qeverisë theksoi se “ne përcaktuam në axhendën tonë një përpjekje për të afruar vendet e Afrikës Veriore në Këshillin e Evropës për t’i afruar me institucionet evropiane”. Sipas tij, pranvera arabe ishte një zhvillim madhor historik. “Kombet e këtyre vendeve u ngritën dhe janë të vendosura të zhvillojnë sistemin demokratik. U ngritën për liritë dhe të drejtat njerëzore. Vendet e bregut të Mesdheut kanë një shans historik për të investuar në rrugën e ndërtimit të demokracisë. Vendet ish komuniste që përjetuan një natë të gjatë totalitare patën avantazhin të ishin  të rrethuara nga vendet e lira demokratike që u dhanë atyre një ndihmë universale për ndërtimin e institucioneve dhe shoqërisë së lirë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›