Zgjedhjet e djeshme në Ballagat konfirmojnë triumfin e PD-së mbi mbetjet elektorale të së majtës
Nga numërimi i kutive të para të votimit, në komunën Ballagat, e cila iu nënshtrua zgjedhjeve të reja, pas shkarkimit të ish-kryetarit, kandidati i Partisë Demokratike ka regjistruar një epërsi të thellë, edhe pse qendrat e numëruara konsideroheshin si bastione të Partisë Socialiste. Më pas gjithçka u konfirmua me shifrat finale, ku kandidati i PD mori mbi 1000 vota, kurse rivali i PS as 400 vota
TIRANE - Qendrat e votimit në komunën Ballagat të qarkut të Fierit, ku u votua dje për kryetarin e ri të kësaj njësie vendore, u mbyllën sipas afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Numërimi i kutive të para, flisnin për një fitore të kandidatit të PD-së në këto zgjedhje të pjesshme për kryetar komune.
Burime nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në këtë komunë janë shprehur se, "Në votime u thirrën rreth 2400 zgjedhës, prej të cilëve, nga të dhënat e para rezulton se kanë votuar rreth 50 për qind".
Zgjedhjet e pjesshme në komunën Ballagat zhvillohen pas shkarkimit për abuzim me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka. Për kreun e komunës kandiduan dje Sherbet Sharka, përfaqësues i PD-së dhe Neshat Sharka, përfaqësues i PS-së.
Në këtë komunë, me rreth 2551 zgjedhës u ngritën 8 qendra votimi për zgjedhjet e djeshme. Ndërkohë që janë emëruar dhe janë trajnuar të gjithë anëtarët e grupit të vetëm të numërimit, i cili pritet të nisë më shpejt nga ç’ishte parashikuar, për shkak të numrit të vogël të votuesve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Leonard Olli u shpreh se, "Shpresojmë që gjithçka të përfundojë sa më mirë dhe sigurisht që dhe procesi i numërimit të votimit do të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe pa asnjë lloj problemi. Sigurisht është menduar të ngrihet vetëm një grup numërimi votash po duke u nisur dhe nga numri i vogël i votuesve ne shpresojmë që gjithçka do të ecë normalisht dhe ndoshta që në orët e mesnatës të ketë përfunduar dhe procesi i numërimit të votave dhe ndoshta sot në mëngjes do të kemi një rezultat paraprak në raport me fituesin".
Ish-kryetari Fatos Sharka fitoi si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Ai ishte anëtar disa vjeçar i PS-së, së Lushnjës dhe të Ballagatit. Fitorja nuk zgjati më shumë, pasi u akuzua për shpërdorim detyre dhe gjykata e Lushnjës e dënoi me 2 vjet burgim dhe 300 mijë lekë gjobë. Në këtë komunë, e cila ka 2511 votues, në zgjedhjet e 28 qershorit Partia Demokratike ka marrë rreth 60 vota më shumë se Partia Socialiste. ndërkohë që këto zgjedhje janë të parat pas atyre të 28 qershorit në rang vendi.