Kur “plani B” i Edvinit është në lartësinë e emrit...
Produkti me i fundit që pritet te publikohet ne fund të gushtit, made in PS, është lideri delirant i dështuar Edi Rama. Pasi ka marrë dënimin e merituar nga sovrani më 28 Qershor, Rama përpiqet të rikonfigurohet përkundrejt normave të statutit, të vetëtrumbetuara edhe nga ai vite më parë, duke hipotekuar shkarravinat e radhës, kësaj herë në kupolën e krasitur me shumë kujdes për planin B.
Por, a ka dështuar edhe në arenën ndërkombëtare ku edhe ai thotë se do të ankohet?
Padyshim që po. Raportet e fundit janë pasqyrë për këdo, e këtë e di edhe vetë Rama, i lodhur tashmë pas humbjes, por revanshi fillon pasi të mos i njohë ato, duke justifikuar rikandidimin në krye të selisë ylberiste.
Megjithë disa zëra kundër, vetoja dhe ndryshimi i stausit apo edhe thërritja e ushtarëve nën rrjesht, nuk përbën çudi për asnjë. Edi Rama do të rizgjidhet në krye duke traumatizuar të majtët, por edhe duke u bërë pengesë për proceset integruese të vendit. Deklaratat e fundit nga kancelaritë se Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së, janë makthi më i madh që vjen nga Perëndimi ku ai edhe dështoi si refugjat, ndërsa miku i tij i vetëm në opozitë Papandreu është shumë i vogël - megjithëse i gjatë - për ta shtrirë dorën në selitë e Brukselit apo të Uashingtonit.
Me një fytyrë të trishtuar, i rrethuar nga ata pak miq tenderash, duket se tërbimi po vjen natyrshëm me propozimin për protesta ndaj reformave dhe punës që po bëhet anembanë vendit, ku shiritët janë kthyer në një monotoni për edicionet informative. Dhe ora e Ramës dhe e masmediave nën diktatin e tij ka humbur si ora e Presidentit Bush, paçka se ajo u gjet dhe vazhdon të punojë sahat. Vetëm ora e socialistëve - përtej së majtës dhe së djathtës - nuk dihet se kur do të kurdiset? Më 29 Gusht? Pikëpyetjet janë të mëdha pas karantinës së Xibrakut?!
Rama, mjeshtër i intrigës, dhunës, pazareve dhe butaforisë me daullet që bien vetëm për të, kërcënon lirine dhe demokracinë në partinë e themeluar nga Popoviçët dhe Mugoshët. Militantizmi dhe ekstremizmi i majtë janë një ogur i keq në hapat e maturuar nga ndërkombëtarët në stacionet e fundit që kemi për të hyrë aty ku ishim të parët, ndërsa pasardhësit e tyre minorë, janë rizgjuar frikshëm në këtë vapë gushti, ku me sa duket e majta do të rizgjedhë një tjetër diktator mjeran dhe të destinuar për të humbur betejat e radhës.