E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria përfiton nga buxheti i KE grandin prej 270 milionë euro

Shqipëria përfiton nga buxheti i Komisionit Evropian një fond prej 270 milionë euro dhe destinacioni i kësaj shume do të jetë plotësimi i standardeve, sipas kushteve të Brukselit, për të qenë një vend i denjë, për të aderuar plotësisht në Union brenda katër viteve në vijim.

TIRANE - Komisioni Evropian i akordon Shqipërisë një fond prej 270 milionë euro, për të përgatitur dhe reformuar institucionet dhe administratën në tërësi, në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për periudhën 2009-2010, Shqipëria përfiton nga buxheti i Komisionit Evropian 270 milionë euro dhe destinacioni i kësaj shume do të jetë plotësimi i standardeve, sipas kushteve të Brukselit, për të qenë një vend i denjë për tyë aderuar plotësisht në Union brenda katër viteve në vijim. Administrata publike do të jetë përfituesi më i madh nga grandi që Komisioni Evropian i jep Shqipërisë.
238 milion euro janë ndihmë për tranzicionin dhe ngritjen e institucioneve, kurse pjesa tjetër shkojnë për bashkëpunimin ndërkufitar.
Administrata publike do të zërë pjesën më të madhe të këtij grandi, pasi dihet tashmë se kusht për anëtarësim është dhe përmirësimi i cilësisë në punën e nëpunësve shqiptarë.
Fondi do të përdoret nga pala shqiptare për gati 2 vjet, për të trajnuar administratën e për të ngritur institucione që do të ndihmojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Financimet me këtë karakter nga Komisioni Evropian synojnë të ndihmojnë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do ti kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, transportit dhe energjisë.
Ndërsa pjesa e dytë e ndihmës që shkon për bashkëpunimin ndërkufitar, do të merret me veprimtaritë ndërkufitare mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së, si dhe me vende të tjerë kandidatë apo potencialë për kandidatë.
Dihet që siguria në kufijtë e Shqipërisë ka qenë një nga kushtet ende të paplotësuara në vlerësimin që Bashkimi Evropian i ka bërë vendit tonë, në kuadër të plotësimit të kërkesave për tu rreshtuar përkrah vendeve anëtare.
Ndërhyrja në kuadër të kërkesave politike do të jenë reforma e administratës publike, reforma gjyqësore dhe e policisë, lufta kundër korrupsionit që mbetet gjithashtu larg parametrave të pranueshëm.
Fonde janë parashikuar nga KE edhe për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë.
Komisioni Evropian miratoi një paketë të konsiderueshme ndihmash ekonomike, për të ndihmuar vështirësitë ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rreth 85 milion euro të grandeve të financuar nga Komisioni Evropian, janë pjesë e pakos së Reagimit të përgjithshëm të Krizës për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë që gjithsej 150 milion euro të Komisionit Evropian, jepen në formën e granteve dhe 600 milion euro janë kredi nga institucionet partnere ndërkombëtare, të tilla si Banka Evropiane e Investimeve dhe EBRD.
Si përgjigje ndaj krizës financiare, Komisioni Evropian do të miratojë ditët e ardhshme një paketë prej 39 milionë euro, për Bosnje Hercegovinën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›