E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, KiE takim me Gjiknurin dhe Hysin

Një ekspert i Këshillit të Europës ka zbritur në Tiranë për të asistuar politikën shqiptare në çështjet zgjedhore. Ndërsa puna për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ka mbetur pezull, një përfaqësues i Këshillit të Europës ka vizituar dje selinë e PS-së, ku ka takuar dy të mandatuarit e kësaj force për të negociuar me palën kundërshtare për reformën zgjedhore. Fillimisht eksperti i KiE-s është parë në një takim informal me dy përfaqësuesit socialistë Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi, në lokalin pranë Partisë Socialiste. Pavarësisht karakterit informal dhe vendit të takimit, eksperti i huaj ka mbajtur shënime, ndërsa përfaqësuesit socialistë të raportojnë mbi pretendimet e tyre lidhur me mënyrën sesi Partia Socialiste e koncepton reformën zgjedhore. Mësohet gjithashtu se përfaqësuesit socialistë i kanë shpjeguar atij edhe mangësitë dhe problematikat e hasura gjatë procesit të fundit të zgjedhjeve vendore, për të cilat sekretari i përgjithshëm i KiE-s i ka dërguar disa pyetje për ekspertizë Komisionit të Venecias. Ndërkohë që nuk dihet ende se cili është misioni konkret i këtij eksperti, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ai të thithë mendimet e palëve, jo vetëm për reformën, por edhe për mënyrën sesi duhen zgjidhur problematikat për të cilat kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias. Lidhur me këtë gjë, dihet tashmë se përveç ekspertëve të KiE në Tiranë, në mes të tetorit, do të mbërrijnë dhe përfaqësues të Komisionit të Venecias, për të thithur në terren mendimet e palëve dhe për të dhënë një konkluzion që mund t’i shërbejë reformës zgjedhore brenda muajit dhjetor. Ndërkohë që nga demokratët nuk është konfirmuar ende nëse përfaqësuesi i KiE-s do të ketë takime edhe me ta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›