E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës, miratohet përbërja e KZAZ-ve

Zgjedhje e pjesshme për kryebashkiakun e Kukësit zhvillohen më 24 shtator dhe Komisioneri Shtetëror ka miratuar përbërjen e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë e sekretarë në KZAZ-në nr. 11, në atë të Kukësit, i dorëzuan propozimet ditën e premte.

Për zgjedhjet e pjesshme në Kukës, zyrtarisht fushata zgjedhore nis më 11 shtator, ndërkohë që ka përfunduar afati i shpalljes së listave të votuesve, për të cilat punuan Zyrat e Gjendjes Civile së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme.

Gjithashtu partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në Komisionin e Qendrës së Votimit, duhet ta depozitojnë në KZAZ-në përkatëse jo më vonë se 1 shtatori, e më pas kjo e fundit merr vendimin për emërimin e anëtarëve jo më vonë se data 4 shtator.

Po e njëjta procedurë ndiqet edhe nga partitë garuese edhe për anëtarët e grupeve të numërimit, për të cilët KZAZ-ja e jep vendimin më 14 shtator.

Partitë garuese kanë afat deri më 1 shtator, ndryshe ndodh për koalicionet që duhet deri në datën 6.

Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ-në nr. 11 jo më vonë se data 8 shtator dhe më pas KZAZ-ja bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja.

Në rast se do të vërehen paqartësi, ato do të kthehen për plotësim.

Në bazë të vendimeve të marra nga Komisioni Rregullator në KQZ, në zgjedhjet e pjesshme në Kukës do të përdoret pajisja elektronike e identifikimit të zgjedhësve, e pas përfundimit të procesit të votimit, do të përdoren kamerat regjistruese dhe monitorët për shfaqjen dhe numërimin e fletëve të votimit.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›