E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme vendore, KQZ cakton afatet për partitë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi dje afatet procedurale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Ndërsa sot do të hidhet shorti për përzgjedhjen e partisë që ka të drejtë të propozojë anëtarin e shtatë në komision. Janë 5 zona që përfshijnë: njësinë 10 në kryeqytet, ku kryetar ishte Gerti Bogdani; komunën Otllak në Qarkun e Beratit ku kryetar ishte Lefter Maliqi; Bashkinë Klos në Dibër me kryetar Bedri Hoxhën; atë të Fierzës me Besnik Dushajn dhe Bashkinë Fushë-Arrëz në Qarkun e Shkodrës me Ndue Palucën. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar afatet kur partitë politike dhe koalicionet do të regjistrohen për zgjedhjet e pjesshme lokale. Dokumentet e kandidimit do të paraqiten jo më vonë se data 18 tetor dhe KZAZ do të bëjë verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja. Në mbledhjen e djeshme është vendosur që partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KZAZ duhet t‘i sjellin propozimet jo më vonë se data 12 tetor 2009. Gjithashtu dje është miratuar edhe afati kur partitë politike duhet të paraqesin anëtarë në KQV për zgjedhjet e pjesshme për kryetar brenda datës 17 tetor. Kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore partitë duhet ta sjellin brenda datës 11 tetor, ndërsa koalicionet zgjedhore duhet të paraqiten brenda datës 15 tetor. Futja e disa prej kryetarëve të qeverisjes vendore në Parlament si deputetë, ka çuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 nëntor, datë e cila u dekretua dhe nga Presidenti Bamir Topi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet kur partitë politike dhe koalicionet duhet të regjistrohen. Në mbledhjen e KQZ-së është vënë re edhe mungesa e përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste, e cila ka gjasa të bojkotojë edhe zgjedhjet e pjesshme lokale. Po kështu, në mbledhjen e djeshme është miratuar edhe paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë, e cila do të bëhet jo më vonë se data 30 tetor, ndërsa paraqitja e kërkesës për vëzhguesit e huaj do të bëhet jo më vonë se 72 orë para datës 15 nëntor. Duket se për zgjedhjet e pjesshme lokale do të ndiqet e njëjta taktikë dhe strategji si në zgjedhjet e përgjithshme. Prefekti i Qarkut të Beratit, Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Tiranës do t`i paraqesin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e plotë të objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për vendin e numërimit të votave jo më vonë se data 15 tetor dhe përfundimisht do të jetë KQZ-ja ajo që do të caktojë vendin e numërimit të votave jo më vonë se data 20 tetor.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›