E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: "Kutitë duhen bosh për 15 nëntorin"

Zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit duket se do ta detyrojnë KQZ-në të vendosë për djegien e fletëve të votimit, duke lënë në Arkivin Shtetëror vetëm procesverbalet me rezultatet e çdo qendre votimi. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bën me dije se "fletët do të shkatërrohen në limitet kohore të mundshme, por kutitë duhet të jenë bosh për 15 nëntor". Në ligjet zgjedhore të mëparshme, të 2006 dhe të 2007, ishte e përcaktuar se "fletët e votimit digjeshin pas një viti ose pas tre muajsh". Tani kjo çështje i është lënë në dorë të lirë vetë KQZ-së. Aktualisht kutitë me 1519176 fletë votimi të vlefshme gjenden prej kohësh në magazinat shtetërore qeveritare në Lundër. Në kohën kur debati ndërmjet mazhorancës dhe Partisë Socialiste bëhet për hapjen e kutive për rinumërim, neni 178 i Kodit Zgjedhor sanksionon se menjëherë pas përfundimit të ankimeve, Komisioni i Zgjedhjeve mund t‘i asgjësojë ato. Arsyeja e asgjësimit të fletëve të votimit është boshatisja e kutive që do të ripërdoren për zgjedhjet lokale në komunat Klos, Otllak, Fushë-Arrës, Fierzë dhe njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›