E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Raporti ODIHR-it, fakte që forcojnë kërkesën për hetim

TIRANË- Pavarësisht ftesave të kryeministrit, e së fundi edhe të ndërkombëtarëve për debat brenda parlamentit, Partia Socialiste ritheksoi qëndrimin e saj për marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, deri në hetimin e pavarur të zgjedhjeve. Gjatë një konference për shtyp, deputetit Erion Braçe ka deklaruar se "raporti i ODIHR ose siç i pëlqen Berishës, raporti i "Watch dog-ut" ndërkombëtar, është një raport vëzhgimi, nuk është raport hetimi! Ai ka sjellë fakte të forta për sjelljen e "Wild dog-ut" qeveritar, shfaqur gjatë zgjedhjeve". Sipas Braçes, faktet e Raportit të ODIHR janë indicie të forta që forcojnë kërkesën për hetim, hetim që do të prodhojë një të vërtetë reale, të thelluar e faktuar mbi zgjedhjet.
Braçe ka kujtuar se çereku i të vërtetës mbi votat, të numëruara keq dhe shumë keq-konstatuar në raportin e ODIHR- duke përdoruar mundësitë e pakta të kufizuara deri këtu nga Berisha, ka nisur të dalë në dritë, duke filluar nga kryeqendra e manipulimit të votave, Shkodra, që ai e ka cilësuar 'territori elektoral i dhunuar nga numri 2 i shtetit formal, Jozefina Topalli'. Në të njëjtën mënyrë, sipas tij e vërteta duhet të dalë në dritë plotësisht edhe në Tiranë, edhe në Berat, kudo ku vota është vjedhur, përmes hetimit dhe një raporti hetimi.
Ai ka shtuar me tej se edhe pse rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk është në rregull, PS nuk ka shprehur asnjëherë se kërkon ndryshimin e rezultatit duke ndarë mandate të tjera, të reja në tavolinë.
"Sot jemi përballë një krimi të përsëritur-manipulimit të zgjedhjeve, një keqbërësi përsëritës-Sali Berishës dhe të njëjtës krizë si 13 vite më parë-asaj të pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Duke abuzuar ekstremisht me fjali formale të "watch dog-ut" ndërkombëtar, Sali Berisha po vë përballë kërkesave kushtetuese të opozitës së vjedhur, jo vetëm të majtë, "wild dog-un" qeveritar"- tha ai.



PS: S'ka Kuvend pa zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit

TIRANË- Partia Socialiste ka përsëritur sërish sot qëndrimin e saj të vendosur për marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, duke theksuar se do të vijojë bojkotin deri në zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit.
Gjatë një deklarate për mediat, deputeti Blendi Klosi ka pohuar se "Zgjedhjet e ditës së shtunë, nuk zgjodhën vetëm kryetarin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, por në të njëjtën kohë, konfirmuan në mënyrë plebishitare qëndrimin e socialistëve dhe socialisteve në mbështetje të marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit".
Sipas tij, ajo është një kërkesë e drejtë, kushtetuese, në mbështetje të ligjit, që kërkon të mbyllë përfundimisht kalvarin e zgjedhjeve të manipuluara në vendin tonë.
"Shkalla e manipulimit të zgjedhjeve po faktohet dita ditës, jo vetëm nga opozita, por edhe nga investigimi i pavarur i medias"- tha ai, duke shtuar se hetimi që kërkojnë socialistët për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, është vendosmëria që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje të standardeve të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, të jenë të lira dhe të ndershme, ku ligji të mbizotërojë mbi pushtetin dhe askush të mos guxojë të dalë mbi të.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›