E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, hapet gara në PD, kush zëvendësohet



I vetmi post që nuk do të ofrojë surpriza në zgjedhjet e 12 dhjetorit, është ai i kryetarit të PD-së. Përveç tij, të gjithë drejtuesit e tjerë të PD-së janë të pasigurt në vendet që mbajnë aktualisht në këtë parti. Tashmë gara është e hapur në PD për strukturat e reja të partisë. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se zgjedhjet e brendshme të kuvendit të 9-të që do të mbahet me 12 dhjetor, do të sjellin ndryshime rrënjësore edhe në sekretariatin e partisë. Nuk dihet ende se cila do të jetë ardhmja e sekretarëve aktualë, nëse do të qëndrojnë apo jo në stafin e vjetër e sekretariatit. Zgjedhjet do të përfshijnë te gjitha nivelet, kryetarin, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm, atë për çështjet ligjore, ekonomike, burimet njerëzore etj. Në PD mësohet se do të jenë deputetët aktualë të PD-së ata që do të zënë vendet në postet partiake, ndërkohë që konfirmohet një garë e fortë brenda llojit dhe tashmë gara politike brenda partisë në pushtet ka filluar. Po ashtu, ndryshime rrënjësore pritet të ketë edhe anëtarësia e forumit më të lartë të PD-së, Kryesia e saj dhe Këshilli Kombëtar, në listën e të cilëve do të futen të zgjedhurit e rinj të PD-së më 28 qershor. PD-ja ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike. Ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e ditës së shtunë, në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, z. Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm, z. Ridvan Bode.

Kompetencat e Kuvendit Kombëtar

Neni 39

Kuvendi Kombëtar:

1-vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;

2-miraton Statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij;

3-zgjedh me votim të fshehtë Këshillin Kombëtar nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues dhe sipas modaliteteve të përcaktuara nga Kryesia e Partisë;

4-zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë;

5-vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

6-me propozim të Kryesisë Qendrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh Kryetarët e Nderit, i cili ka vend e votë në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën;

7-vendos shpërndarjen e partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;

8-miraton komisionet e mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij.

9-Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar e kanë:

a. Kryetari i partisë;

b. Këshilli Kombëtar;

c. Kryesia e Partisë;

d. Kryesia e Degës të Partisë;

e. jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë të paktën në pesë degë të PD-së. Kërkesat për propozim kandidaturash sipas kësaj gërme, duhet t’u nënshtrohen të njëjtave procedura si të tri gërmave të para.

Kryetari i partisë

Neni 46

1.-Kryetari kryeson organet qendrore të partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

2.-Ai ndihmohet nga dy nënkryetarë dhe sekretari i përgjithshëm.

3.-Kryetari i partisë zgjidhet në përputhje me nenin 39 të statutit, me sistem mazhoritar me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme.

Nënkryetarët e partisë

Neni 47

1-PDSH ka dy nënkryetarë të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të nenit 41 të këtij statuti.

2-Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje etj.), sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.

3-Kryetari i grupit parlamentar është njëri prej tyre, ndërsa nënkryetari tjetër është i deleguari i kryetarit.

Sekretari i përgjithshëm

Neni 48

Sekretari i përgjithshëm organizon funksionimin e përditshme të partisë dhe përgjigjet për organizimin e saj. Ai paraqet çdo vit raportin e veprimtarive të kryesisë qendrore para Këshillit Kombëtar. Ai ndihmohet në punën e tij nga sekretarët funksionalë.

Sekretari i përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet në përputhje me nenin 41 të statutit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›