Fshatrat turistike, kushtet për ligjërimin e ndërtimeve
Ndërtimet pa kritere të bëra në 20 fshatrat turistike në të gjithë bregdetin do të ligjërohen, por me kushte të vendosura nga shteti. Komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dje projektligjin e ardhur nga qeveria “Për rregullimin e pronësisë për truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”, i cili përcakton detyrimet për kalimin në pronësi të ndërtimeve pa kritere në fshatrat turistike. Projektligji, i cili kishte për relator deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj, përcakton detyrimet për kalimin e pronësisë. Alibeaj tha në komision se bëhet fjalë për një mekanizëm që poseduesve u jepet mundësia ta gëzojnë ndërtimin e tyre por në të njëjtën kohë, trualli shtesë do të jetë në bashkëpronësi. Kjo do të thotë se ndërtimet në këto zona me prioritet nuk mund të bëhen më pa studime korrekte. Gjatë shqyrtimit të ligjit, u vendos që do të ketë një koordinim me ligjin e urbanistikës që përcakton se çdo ndërtim në këtë zonë duhet të ketë leje të veçantë, ndryshe do të përballet me sanksionet më të rënda.
“Me këtë ligj rivendoset pozicioni i shtetit, i cili është pronari i truallit, po nuk ka marrë asnjë të ardhur për këto ndërtime, të ndërtuara në pronën e vet. Këta persona do të duhet të paguajnë për shtetin në bazë të hartës së vlerës, çmimin e tregut, marrëdhëniet e tyre", - deklaroi Enkelejd Alibeaj.
Pagesa
Sipas projektligjit, në rast se poseduesit paguajnë për ndërtimin e tyre, përfitojnë zbritje të shumës që i detyrohen shtetit. Çmimi i truallit i një shtëpie të ndërtuar në një fshat turistik reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve dhe 20 për qind brenda një muaji. Megjithatë, përveç vlerës së godinës, blerësi duhet t’i paguajë tokën shtetit me çmimin e tregut.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon që përfituesit do të jenë si qeramarrësit ashtu edhe blerësit e ndërtesave në fshatrave turistike. Parashikohet që 80 për qind të vlerës së tokës paguhet nga këta të fundit, ndërsa 20 për qind nga ndërtuesit e fshatit turistik. Shuma e përfituar do të shkojë për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Ato subjekte të shpronësuara, të cilat do të mund të provonin e pretendonin pronësinë e tyre, atëherë kanë të drejtë të themi, të futen në procesin e privatizimit në rastin kur asnjë nga subjektet e interesuara nuk do të përtonte më për të fituar pronësinë mbi ndërtimin e tyre dhe të bëheshin ata pronarë. Kjo është njëra nga alternativat. Alternativa tjetër është që e gjithë kjo masë e madhe të ardhurash që do të rikuperohet nga pagimi i çmimit, do të shkojë për kompensimin financiar të ish-pronarëve”, - shtoi ish-ministri i Drejtësisë, Alibeaj.
Ai më tej shpjegoi se bëhet fjalë për 20 fshatra turistike, që sipas relacionit të projektligjit, rreth 90 për qind e tyre kanë dalë jashtë destinacionit. Kjo do të thotë që në vend që ata të ndërtonin hotele dhe të zhvillonin turizmin, kanë shitur tokat apo kanë bërë pallate pa kritere, kur toka ishte dhënë me qera nga shteti për 99 vjet.
Ligjërimi i ndërtimeve në fshatrat turistike, roli i ALUIZNI-t
Sipas projektligjit të shqyrtuar dje, ALUIZNI do të ketë të drejtën për të shitur trojet në fshatrat turistike. Projektligji parashikon të zbatohet për kalimin, subjekteve të interesuara, të së drejtës së pronësisë mbi njësitë dhe truallin, brenda zonës së stimuluar me përparësi turizmin. ALUIZNI do të kompensojë ish-pronarët financiarisht, në rast se trualli është i atyre pranë njësisë së ndërtimit. Subjekti i interesuar që gëzon njësinë e ndërtimit, vilën apo shtëpinë, sipas nenit 4 dhe 5 të draftit, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet: a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës; b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar; c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar”. Këto dokumente së bashku me kërkesën depozitohen në zyrat e ALUIZNI-t. Çmimi i truallit duhet të paguhet me vlerën e tregut të parashikuar sipas vlerës së hartës të tokës që aplikon Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Dokumentet që kërkohen
Subjekti i interesuar, që gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë, pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:
a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;
b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar;
c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
Subjekti i stimuluar gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë, pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:
a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;
b) marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit, të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit;
c) lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar;
d) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtimit, nëse ka
e) kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrimit tregtar.
Neni 10
Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë së truallit
1. Kur dy ose më shumë persona gëzojnë njësinë ose njësitë e ndërtimit brenda së njëjtës zonë të stimuluar, trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme, në tërësi.
2. Ministri përgjegjës ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e shitblerjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, si dhe njofton me shkrim subjektin e interesuar ose personin e stimuluar, se i plotëson kushtet e parashikuara në ligj. Modeli i kontratës së shitblerjes miratohet nga ministri përgjegjës.
3. Kontrata e shitblerjes lidhet pasi bëhet pagesa e plotë e çmimit të truallit të njësisë së ndërtimit. Mënyra dhe afatet e pagimit të çmimit të truallit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Kontrata e lidhur, sipas këtij ligji, regjistrohet në ZRPP.
5. Kalimi i së drejtës së pronësisë së truallit, sipas kësaj procedure nuk tatohet, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.