E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e vizave, Berisha: Përmbushja e detyrimeve, në kohë rekord



Shqipëria po i plotëson të gjitha kushtet e vëna nga BE-ja për heqjen e vizave dhe reformat integruese do ta përafrojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Plotësimi në kohë rekord i kritereve të vendosura nga BE-ja për heqjen e vizave me Shqipërinë është siguria më e madhe e qeverisë “Berisha” për të bërë të gjitha përpjekjet që brenda vitit të parë të mandatit të saj të merret vendimi për heqjen e vizave. Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën që të bëhet pjesë në këtë proces dhe të futet në sallën e Kuvendit, ndërsa njoftoi deputetët e PD-së me të gjithë hapat që janë ndërmarrë për konkretizimin e këtij procesi. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, z. Berisha vuri në dukje se realizimi i heqjes së vizave është një arritje historike jo vetëm kombëtare, por edhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Berisha njoftoi se ligji për kufijtë po zbatohet, ndërsa të gjitha kërkesat specifike të BE-së, që kanë lidhje me kontrollin e kufijve, do të plotësohen brenda muajit nëntor. Para deputetëve demokratë, Berisha bëri një pasqyrë të të gjitha masave që ka marrë qeveria për të plotësuar standardet që kërkohen në ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave. “Ne kemi premtuar gjatë fushatës elektorale se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe reformat, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët”, - deklaroi z. Berisha. Një rëndësi të veçantë Berisha i kushtoi përmbushjes së detyrimeve kryesore të udhëzuesit për vizat, që ka të bëjë me dokumentet e identifikimit. Shifra e qytetarëve që kanë në dorë pasaportën me të dhëna biometrike, ka mbërritur në 180 mijë. “Qeveria, - tha Kryeministri, - po ecën me ritme të shpejta dhe në drejtim të përmbushjes së detyrimeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të kufijve”. Një ndër masat e rëndësishme që përmendi Kryeministri, është vendosja në çdo pikë kufitare të sistemit të kamerave, për kufij më të sigurt. “Qeveria ka marrë masa dhe ka përshpejtuar të gjithë procesin e modernizimit të kontrollit të kufijve. Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të thënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit. Për pasaportat e humbura, por edhe për makinat, ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij”, - tha më tej Berisha. Duke zbardhur gjithë angazhimin e qeverisë për vizat Kryeministri Sali Berisha përfitoi nga rasti t’i bënte sërish thirrje opozitës të kontribuojë në këtë proces. Ai shprehu sigurinë se kjo mazhorancë po ecën e sigurt me trajtimin e saj më serioz të kërkesave për liberalizimin e vizave për shqiptarët, në mbajtjen e premtimit të saj për një vendimmarrje brenda vitit të parë të këtij mandati. “Edhe një herë është rasti që të ftoj opozitën të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtet realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e bashkuar pa viza është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Është një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - deklaroi Kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›