E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet kuvendore, parashikohet të mbahen më 28 qershor 2009

25-08-2008 / Gazeta 55

Forcat politike, duken gjithnjë e më bashkuara për caktimin e periudhës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Opsioni më i mundshëm mbetet muaji qershor, e diela e javës së katërt dhe të fundit të muajit Zgjedhjet parlamentare në vend, parashikohet të zhvillohen në javën e fundit të muajit qershor të vitit të ardhshëm. Si mazhoranca ashtu edhe opozita, duket se mbajnë të njëjtin qëndrim për datën e zgjedhjeve. Pas deklaratës së kryeministrit Berisha disa ditë më parë, se zgjedhjet nuk do të shtyhen por do të zhvillohen në muajin qershor, pala tjetër politike ajo opozitare, nuk ka shprehur asnjë lloj pakënaqësie, duke konfirmuar kështu qëndrimin e PS dhe të partive të tjera të majta, në mbështetje të periudhës zgjedhore për mbajtjen e kuvendoreve të 2009-ës. Kësisoj, palët pritet të shkojnë drejt një marrëveshjeje për të fiksuar në kod datën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Mënyra për ta bërë këtë është formulimi në kod i një dispozite tranzitore, cka është përdorur edhe herë të tjera nga ligjvënësit për të përcaktuar kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Kësaj radhe palët po bien dakord që votimi të kryhet mundësisht në fund të qershorit, duke ngushtuar maksimalisht kohën e mbajtjes së zgjedhjeve nga 15-marsi në 30 qershor. Kjo do të thotë se e diela e fundit e qershorit ka gjasa të jetë edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ose thënë ndryshe, shqiptarët do të hedhin votën e tyre për partitë më 28 qershor 2009. Argumenti kryesor për të fiksuar zgjedhjet në fund të qershorit lidhet me dhënien e mundësisë për sa më shumë shqiptarë të votojnë me karta identiteti dhe sic është bërë e njohur kompania “Sagem” brenda një jave mund të prodhojë deri në 15 mijë copë. Megjithatë, për t‘i dalë përpara cdo të papriture me pajisjen me karta identiteti të zgjedhësve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, palët po negociojnë që të mos lenë kartën si opsion të vetëm të identifikimit të zgjedhësve. Mësohet gjithashtu se ekspertët po shqyrtojnë mundësinë të lënë në fuqi pasaportën si një mjet të besueshëm identifikimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas ekspertëve votimi me pasaportë, i zbatuar edhe në zgjedhjet e fundit lokale dhe i pranuar pa hezitim si nga partitë shqiptare, ashtu edhe nga ndërkombëtarët, është një mundësi alternative, që zgjedhësit shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e votës me 28 qershor 2009. ...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›