E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, OSBE me rol këshillëdhënës

Reagimi i tyre pason kërkesën e Beogradit që zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizohen nga OSBE-ja dhe jo nga institucionet kosovare.
Një zëdhënëse e OSBE-së në Prishtinë, Edita Buçaj tha për BBC-në se organizimi i zgjedhjeve nuk është më në kompetencën e kësaj organizate. “Roli i OSBE-së ka ndryshuar", tha Buçaj.

"OSBE tani ka rol këshillëdhënës dhe i ofron asistencë teknike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kuptim të ngritjes së kapaciteteve dhe ngritjes së stafit të KQZ-së", shpjegoi ajo. "Që në zgjedhjet e kaluara ne kemi thënë se OSBE-ja gradualisht do të tërhiqet dhe organizimi i zgjedhjeve do të bëhet nga institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, pra nga KQZ-ja".

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka thënë se serbët nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizojnë institucionet kosovare. Kjo, sipas tij, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Si alternativë, ai ka propozuar organizimin e zgjedhjeve nga OSBE-ja.

Ndërkohë, Beogradi ka vendosur të përsërisë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në dy komuna të Kosovës. Ivanoviç tha se me mbajtjen e tyre, nuk do të krijohen institucione paralele.

“Për ne këto nuk janë paralele. Për ne ato janë të vetmet institucione ekzistuese dhe të vetmet që populli serb i respekton. Institucione paralele janë ato të tjerat të cilat dikush tjetër po mundohet të na i imponojë”, u shpreh Ivanoviç.

Por autoritetet në Prishtinë kanë vlerësuar se vendimi i Beogradit për përsëritjen e zgjedhjeve në dy komuna të Kosovës, paraqet një lloj improvizimi të pushteteve që ka krijuar pakënaqësi të qytetarëve.

Ministri i Pushtetit Lokal Sadri Ferati, tha se organizimi i këtyre zgjedhjeve është një tjetër manipulim i Beogradit me serbët e Kosovës. Ai theksoi se Kosova është një shtet në zhvillim e sipër dhe se qytetarët serbë, do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e tij përmes pjesëmarrjes në jetën institucionale, në zgjedhjet lokale dhe procesin e decentralizimit.

Ky proces, sipas ministrit kosovar do t’u ofrojë më shumë autonomi në komunat ku ata janë shumicë.

/BBC/Telegrafi/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›