Zgjedhjet në Armeni, OSBE: Të qeta, por me parregullësi

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thonë se zgjedhjet parlamentare në Armeni kanë qenë kryesisht të qeta edhe pse "disa mangësi në procesin demokratik kanë minuar besimin në votime".
“Derisa liritë e tubimit dhe të shprehjes janë respektuar në fushatë, votimet kanë vuajtur nga mungesa e përgjithshme e besimit në integritetin e procesit midis partive politike dhe publikut të përgjithshëm”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Rezultatet preliminare tregojnë se partia qeverisëse e presidentit Serzh Sarkisian ka fituar shumicën, duke siguruar rreth 45 për qind të votave.
Partneri në koalicionin qeverisës, Partia për Armeninë Prosperuese, ka përfunduar i dyti me 31 për qind të votave, ndërsa blloku opozitar, Kongresi Armen Kombëtar, ka fituar mbi 7 për qind të votave, të nevojshme për të hyrë në parlament.