E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Francë e Greqi, Berisha uron Hollande e Samaras

Kryeministri Berisha ka uruar sot Presidentin e ri francez Francois Holande me rastin e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale në Francë. Në mesazhin e urimit drejtuar presidentit të ri francez, Berisha thekson se me votën e tyre, qytetarët francezë zgjodhën programin e tij për përballimin e krizës së sotme evropiane dhe botërore, bazuar në rritjen ekonomike dhe nxitjen e prosperitetit.
 

“Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t`Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara Jush” thekson kryeministri Berisha.
 

Gjithashtu Berisha i ka shprehur mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE.

“Unë dua t`Ju siguroj Ju zoti President se për mua dhe vendin tim, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Francën mike është dhe mbetet një përparësi e veçantë. Me dëshirën për t`Ju pritur në Shqipëri në kohën më të përshtatshme për Ju, shfrytëzoj rastin për t`Ju përsëritur sigurimet e konsideratës më të lartë” përfundon urimi i kryeministrit Berisha drejtuar presidentit të ri francez Hollande.

Kryeministri Berisha i dërgon edhe një mesazh urimi edhe Kryetarit të Partisë “Demokracia e re” me rastin e fitores se tij në zgjedhjet parlamentare në Greqi

“Me anë të kësaj letre dëshiroj t`ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për fitoren tuaj në zgjedhjet Parlamentare të 6 majit. Kam bindjen e thellë se duke votuar për ju në timonin e qeverisjes së vendit të tyre, zgjedhësit grekë kanë bërë zgjedhjen më të mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tuaj. Vendosmëria dhe vizioni Juaj janë një garanci e madhe për nxjerrjen nga kriza të Greqisë mike dhe vendosjen e saj në rrugën e prosperitetit që meriton. Jam i bindur se nën drejtimin tuaj Greqia do ti arrijë objektivat e saj. Dëshiroj me këtë rast t`ju siguroj se mbetem tërësisht i interesuar dhe i vendosur për një bashkëpunim të ngushtë e të gjithanshëm midis të dy forcave politike, të dy vendeve e kombeve tona në interesin më të mirë dypalësh dhe atë të rajonit në tërësi" thuhet në urimin e kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›