“Kutitë hapen në KQZ, kur konstatohet mangësi dokumentacioni”

Eksperti i zgjedhjeve, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume
“Përcaktimi në Kodin Zgjedhor i lidhëseve “dhe/ose”, lejon një shteg shumë të madh mundësie për hapjen e jo pak, por 4500 kutive të materialeve zgjedhore. Ndaj them që për sa kohë u arrit konsensusi për numërim elektronik, gjera të tilla nuk kanë kuptim”
Përplasja e fundit mes PD-së dhe PS-së në komisionin e reformës zgjedhore, lidhur me hapjen e kutive në KQZ, ka vënë në lëvizje edhe juristët. Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume thotë se pretendimi i PS-së bie në kontradiktë me marrëveshjen e mëparshme të dy partive për aplikimin e metodës së votimit elektronik. “Nëse dy partitë e mëdha politike kanë rënë dakord për të numëruar në mënyrë elektronike votat në zgjedhje, atëherë nuk mund të ketë ngërç për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore”, u shpreh Kume.
Sipas tij, ngërçi që përfshiu Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, është lehtësisht i zgjidhshëm.
“Për sa kohë dy partitë e mëdha vendosën që të aplikojnë në zgjedhjet e ardhshme procesin e numërimit elektronik, veprim ky që u bë për më shumë transparencë të votave, atëherë nuk ka asnjë kuptim të kërkosh të njëjtat rregulla si më parë. Në rast të konstatimit të problemeve me dokumentacionin në kutitë e materialeve zgjedhore, atëherë ato hapen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur ka ankimim, si për shembull për mangësi dokumentacioni. Në të kundërt, nuk ka kuptim numërimi elektronik dhe ndërkohë të kërkohet nga ana tjetër që të hapen kutitë, me shkas ose pa shkas. Çështja duhet të ngrihet vetëm në KQZ, nëse ka mungesa në dokumentacion”, tha ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.
Sipas tij, pretendimet e opozitës në këtë rast nuk qëndrojnë. Kume theksoi faktin se hapja e kutive të mundësohet vetëm në ato raste kur ka prova se ka mangësi apo ndonjë problem dhe jo të hapen për të gjetur nëse ka prova apo jo.
“Në fakt përcaktimi në Kodin Zgjedhor i lidhëseve “dhe/ose”, lejon një shteg shumë të madh mundësie për hapjen e jo pak, por 4500 kutive të materialeve zgjedhore. Ndaj them që për sa kohë u arrit konsensusi për numërim elektronik, gjera të tilla nuk kanë kuptim”, tha ai.
Ai bëri thirrje që palët të angazhohen në mënyrë që të përfundojnë sa më shpejt reformën zgjedhore në tërësi të saj, pasi afatet nuk premtojnë ndonëse janë shtyrë jo pak herë me vendim të Kuvendit. Kësisoj,
ish kreu i KQZ-së, Kume thekson se palët kanë ende punë për të bërë me përmirësimin e Kodit Zgjedhor, me çështje më të rëndësishme se kjo e kutive, për sa kohë që tashmë është vendosur që procesi i numërimit të votave do të jetë elektronik.
“Me këtë mënyrë, rezultati do të dalë më shpejt dhe në kohë, vendosja e këtyre ndryshimeve do të sillte zvarritje e vonesa të shumta pa asnjë shkak”, u shpreh Kume. Vetëm dy ditë më parë, çështja e hapjes apo jo e kutive, vuri në vështirësi punën e PD-PS për reformën zgjedhore. Anëtaret e Komisionit, pasi miratuan rreth 30 nene të Kodit Zgjedhor mbi procesin e numërimit, ngecën tek çështja që i mbajti për dy vite në ngërç total politik, nenin që ka të bëjë me rastet kur partitë kanë të drejtë të hapin kutitë e materialeve zgjedhore.
Shantazhi i PS-së, të pengojë përfundimin e reformës
Java e kaluar u mbyll pa konsensus në komisionin e reformës zgjedhore. Edhe pse Komisioneri Fyle u shpreh i qartë në deklaratën e tij se Kodi Zgjedhor duhet të jetë gati brenda 15 majit, PS bëri një hap pas, duke kontestuar marrëveshjen me hapjen e kutive të votimit. Një nen i vetëm, mjaftoi për të penguar punën e Komisionit. Bëhet fjalë për nenin 116 të draftit, ku është rënë dakord që kutitë e materialeve zgjedhore të mos hapen në vendin e numërimit të votave, por të hapen vetëm për disa shkaqe të caktuara, ku janë listuar disa nga këto shkaqe në pikën 6 të këtij neni, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit ankimor.
“Kutitë e materialeve të votimit hapen në KQZ gjatë fazës së shqyrtimit të ankimimit, në përputhje me nenet 136 dhe/ose pika 1 e nenit 138 të Kodit nëse prova/provat e kërkuara administrohen në kutinë e materialit të votimit”, përcaktohet konkretisht në këtë nen.
Për ekspertin e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është bërë një formulim që ndryshon thelbësisht këtë konsensus të arritur, që është futur, nën rrogoz dhe bën ndryshim thelbësor të një momenti kompromisi, i cili synon përmirësimin maksimal të procesit të numërimit.
Sipas tij, do të krijonte një problem shumë të madh, sepse hapet një proces ankimor të 4500 kutitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila do të rrënonte procesin ankimor dhe do ta zgjaste në mënyrë të skajshme.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Komisionit te Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se është rënë dakord që kutitë e materialeve zgjedhore të mos hapen në vendin e numërimit të votave, por të hapen vetëm për disa shkaqe te caktuara. Sipas tij, ky tekst ka mbi një jave, që është në duart e komisionit dhe krejt papritur Partia Demokratike heq dorë.
Kodi i ri zgjedhor, një në tre emra të jetë grua
Një sërë organizatash të të drejtave të grave në qarkun e Shkodrës ka firmosur një peticion që kodi i ri zgjedhor 1 në 3 emra në listat për deputete të jetë grua. Kjo kërkesë që vjen në emër të shoqërisë civile që prej vitesh mbështet fuqizimin e pjesëmarrjes së gruas në politike, është edhe pjesë e rëndësishme e rekomandimeve që OSBE- ODIHR dhe BE i kanë bërë ligjvënësit.
Gratë përbëjnë thuajse 51për qind të popullsisë në Shqipëri. Ato janë grupi më i madh shoqëror në vend, por ato përfaqësohen vetëm me 22 gra ose më pak se 16 për qind e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Në nivelin e qeverisjes vendore përfaqësimi i grave është ende më i ulët. Vetëm 3 gra janë kryetare bashkie ose më pak se 1për qind e drejtuesve vendorë.