“Partia e Topit, pa peshë elektorale, do t’i bashkëngjitet inflacionit të partive fiktive”

Osman Metalla, deputet i PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla thotë se krijimi i një partie të re në skenën politike shqiptare, më konkretisht “Fryma e re Demokratike” që pritet të drejtohet nga Bamir Topi, nuk do të sjellë asnjë risi në klasën politike, pasi kjo forcë i është bashkangjitur morisë së partive politike, të cilat nuk kanë ndonjë peshë elektorale. Metalla tha se krijimi i kësaj partie nuk përbën shqetësim për Partinë Demokratike.
Sipas tij, kjo parti, do t’i bashkëngjitet inflacionit të partive politike dhe programeve fiktive. “Me këtë inflacion partish e programesh politike të paktën në programet e të gjitha partive që tashmë janë aktive në skenën politike shqiptare nuk ka ngelur formalisht ndonjë problematikë e paprekur apo e pashkruar që ta gjenim tek FRD-ja”, Metalla.
Ai tha se “edhe në programin e paraqitur nga ana e partisë së re, e cila pritet të drejtohet nga Topi, nuk është se u paraqit ndonjë risi apo zhvillim i padëgjuar më parë”.
Për deputetin e Partisë Demokratike, çështja nuk është tek ajo se çfarë shkruhet në program, por sa i zbatueshëm është ai. “Çështja është se çfarë shkruhet në program dhe në vizionin e njerëzve të cilët do ta implementojnë këtë program”.
Ai ka shtuar se gjithçka që paraqitet si frymë e re, vihet në gojët e vjetra të po atyre politikanëve që kanë qenë aktiv në politikë dhe nuk kanë bërë asgjë. “Pothuaj të gjithë ata që janë sot në frymën e re nuk është se janë politikanë te pa përfshirë ne politike, përkundrazi janë politikanë qe edhe aktualisht kanë pushtet politik, por për fat te keq ne asnjë kohe nuk bënë ndonjë gjë për tu mbajtur mend”, theksoi ai.
Nisma e krijimit të partisë së re (FRD), bë publike nga deputeti i qarkut të Durrësit Gazmend Oketa, javën e kaluar.