Zgjedhjet në Gjermani ndëshkojnë Merkelin
Koalicioni qeveritar Cdu-Fdp ka humbur mazhorancën në zgjedhje, në landin gjerman Renani Veriore–Vestfali. Sipas exit-polleve të para, dy partitë arritën të merrnin 40,5% të votave kundrejt 51% që kishin në maj të vitin 2005. Renani Veriore–Vestfali është një nga landet më të pasur dhe më të populluar të Gjermanisë. Edhe pse këto ishin zgjedhje lokale, përfaqësuan një test të rëndësishëm për Kancelaren Angela Merkel. Rreth 13,5 milionë qytetarë me të drejtë vote votuan të dielën për Parlamentin e ri të landit. Në këtë rezultat mund të ketë ndikuar edhe paketa e ndihmës për Greqinë, ku siç dihet Kancelarja është kritikuar ashpër. Por këto rezultate do ta privojnë Merkelin nga mazhoranca në Bundesrat. Ndryshimi i raporteve të shumicës në këshillin federal mund të influencojë votimin për miratimin e projekteve për reforma të rëndësishme. Pjesëmarrja në votime nuk ka qenë shumë e lartë. Në qytetet më të mëdha, kjo shifër arrinte në 30% dhe shumë më e ulët se ajo e krahasuar me zgjedhjet e fundit pesë vjet më parë.
#