Sfida jonë, ta bindim Ramën të respektojë Kushtetutën

Ylli politik i Edi Ramës do të harrohet shumë shpejt, sepse shqiptarët do t’i dhurojnë dështim të plotë kokëkrisjes së tij politike. Ky është qëndrimi që mban deputeti i Partisë Demokratike, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë për “Shqip”. Po kështu, Alibeaj shprehet i sigurt se së shpejti do të shuhet edhe strategjia që ai po zbaton në emër të kërkesës për transparencën e procesit të kaluar zgjedhor. Në lidhje me plotësimin e kërkesës së tyre, Alibeaj thekson se për opozitën ekzistojnë një larmishmëri zgjidhjesh, duke nisur që nga kontrolli parlamentar dhe ai i prokurorisë, Gjykata Kushtetuese apo Komisioni i Venecias.
Si e shikoni situatën aktuale në vend, kur deputetët dhe simpatizantët e PS-së po vijojnë grevën?
Ka shumë rrafshe nga të cilat mund të gjykohet mbi këtë situatë. Megjithatë unë do ta sintetizoja në një term të vetëm: Keqardhje. Së pari keqardhje në rrafshin njerëzor, drejtuar kjo grevistëve, për stërmundimin që po i vetëshkaktojnë fizikut të tyre, dhe stërmundimin psikologjik që u shkaktojnë familjarëve të tyre. është kjo një sakrificë me shëndetin, dhe thjesht si e tillë ndjell keqardhje. E nuk bëj këtu dallim për asnjërin prej pjesëmarrësve të grevës. Së dyti ndjej keqardhje se tashmë kemi humbur opozicionin e arsyetimit politik. Përfaqësuesit e minorancës në Parlament tashmë janë duke luajtur në një truall i cili nuk ka asgjë të përbashkët me një shoqëri civile, me një politikë të maturuar, me një shtet institucional apo ligjor. Mjeti i gjetur prej tyre, në kontekstin e sotëm politik, nuk ngjall tek asnjë qytetar i këtij vendi, përveçse militantëve më të verbër të së majtës, respekt, as për lëvizjen e as për njerëzit që e kanë ndërmarrë atë, as mallëngjim për “heroizmën” e tyre, e madje as nuk “mbush me optimizëm” ndokënd për çiltërsinë e kësaj lëvizjeje. E si e tillë është e destinuar të shuhet pa ndonjë gjurmë pozitive për vetë këtë strategji. Së treti ndjej keqardhje se në analizën e fundit, imazhi i shoqërisë shqiptare në arenën ndërkombëtare është duke u shëmtuar, për vetë mungesën e moralit apo fisnikërisë së kauzës së grevës (nëse vërtet është ajo që trumbetojnë ata, pra transparenca e procesit zgjedhor). Ndjej keqardhje përsëri, sepse po konstatoj se kjo e majtë, mendimi politik i së cilës buron nga meandret e imagjinatës së një mendjeje të sëmurë politike, e një njeriu të vetëm - lideri aktual i socialistëve - ende përkund idera të rrezikshme për një sistem politik, social, ekonomik, juridik, elektoral, siç është ai i demokracisë liberale. Ide që referojnë qartazi te mjetet e dhunës, si metodë për të aspiruar marrjen e pushtetit. Madje ushqehen në mënyrë të ethshme. Ndjej keqardhje, sepse në gjysmën tjetër të spektrit politik është instaluar fryma e mostolerancës, e arbitraritetit, e asfiksimit të lirisë së mendimit dhe eliminuar ajo e shprehjes së mendimit politik. Një tentativë energjike për të rikthyer mentalitetin e partisë–shtet, apo kultit të individit (terminologji kjo që të paktën kishte dalë nga zhargoni i fjalorit politik në këto 20 vjet). E po rikthehet frikshëm brenda dhe jashtë çadrave të Partisë Socialiste. Një “kthim në identitet” që ka po të njëjtin autor- Edi Ramën. Ndjej keqardhje, sepse në momentet më delikate të realizimit të një prej ëndrrave pothuajse shekullore të shqiptarëve, lëvizja e lirë plot dinjitet e shqiptarëve në botë, po tentohet të sabotohet nga e njëjta frymë dhe mbartës të asaj fryme që izoluan këtë vend dhe këta njerëz për mbi 60 vite. Ndjej keqardhje, sepse paska sot ende individë, e më keq akoma, në krye të një formacioni politik, e akoma më keq, që aspirojnë të marrin pushtetin, që të fyejnë inteligjencën, memorien dhe civilitetin e shqiptarëve, duke u rrekur t’i mashtrojë e frikësojë ata, nëpërmjet shkaktimit të dhunës psikologjike dhe mbjelljes së terrorit, siç po bën Edi Rama. Unë besoj se këtë lloj keqardhjeje e ndjen e gjithë shoqëria. Këtë shije të hidhur të propagandës vetmitare narciziste të Edi Ramës e kanë të gjithë shqiptarët. Ndjej keqardhje për gjithë të tjerët, por nuk më vjen keq për Edi Ramën, sepse duket që përkundër manisë së tij për “shfaqje” individualiste mediatike, duke u shtirë herë si “i vrerosur në shpirt” për shëndetin e grevistëve, (që vetë i ka detyruar të përkeqësojnë shëndetin), apo herë edhe si “tip sportiv” (në ngatërrimin e ritmit të vallëzimit në televizion), është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka dhe çdo njeri. Koha e sotme, sfidat e shoqërisë dhe shtetit, mirëqenia e njerëzve, mbështetja e ndërkombëtarëve për shqiptarët, nuk e kanë luksin ta soditin sot këtë eksperiment grotesk, absurd, banal, të dhimbshëm dhe aspak dinjitoz që ka për arkitekt të vetëm Edi Ramën. Për një gjë jam i sigurt, që shqiptarët, ashtu, në heshtje, pa bujë, të bezdisur nga ky njeri, do t’i “dhurojnë” dështim të plotë kokëkrisjes së tij politike. Që në sfidën më të parë elektorale të radhës. E duke filluar që nga e diela, ditë në të cilën shqiptarët do të vërshojnë plazheve edhe nëse koha është jo plot me diell. Jam i bindur se asgjë të keqe që të mund të prishë humorin e shqiptareve nuk do të mund ta shkaktojë ky njeri. Ylli i tij politik do të shuhet e do të harrohet shumë shpejt. Kjo është ajo çfarë shoh për situatën aktualë dhe të ardhmen e vendit, edhe përtej së dielës.
Cilat janë zgjidhjet që mund t’u japë mazhoranca kërkesave të tyre?
Ka vetëm një kërkesë. Transparencë e procesit zgjedhor, madje vetëm e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave të 28 qershorit. Nuk e di nëse është e sinqertë. Sjellja politike e tyre më çon të besoj se tjetër gjë kërkojnë. Kjo sepse, ato vota, në gjithë vendin, në çdo qendër votimi, apo vend të numërimit të tyre, u bënë në prani të plotë, në barazi pjesëmarrjeje të komisionarëve, vëzhguesve dhe kandidatëve të Edi Ramës. Disa prej të cilëve sot, për ironi të fatit apo për ironi të Edi Ramës kundrejt tyre, janë duke ironizuar shëndetin. Ajo çfarë unë besoj se Edi Rama kërkon, është se ai përkund në mendjen e tij, ëndërron, zgjohet çdo mëngjes madje me të, një dëshirë për të shkatërruar. është i përpirë nga ideja e shkatërrimit. Kërkon të shkatërrojë besimin e qytetarëve të shtetit, të rrëzojë institucionet e vendit dhe qetësinë e shqiptarëve. Madje edhe të ndërkombëtarëve. Nëse formalisht kërkesa e tyre është për transparencë të procesit zgjedhor, zgjidhja nuk gjendet te mazhoranca, por te ligjet e këtij vendi. Nëse duan, me anë të sistemit të prokurorisë; nëse duan, me anë të sistemit të kontrollit parlamentar; nëse duan, me çdo mënyrë tjetër të parashikuar nga ligji dhe Kushtetuta. E bëj fjalë këtu për kuadër ligjor të miratuar nga vetë socialistët gjatë kohës së qëndrimit të tyre në pushtet, duke filluar nga vetë Kushtetuta. Ka pra një larmishmëri zgjedhjesh për minoracën. Mazhoranca pranon çdo zgjidhje, dhe është tërësisht e huaj në përzgjedhjen që mund të bëjë opozita, por është tërësisht e vendosur që të respektojë kuadrin ligjor thelbësor për ekzistencën e shtetit. Mazhoranca është e hapur dhe mirëpret çdo kërkesë për dialog politik, madje me oferta konkrete, është gatshme të institucionalizojë çdo iniciativë që do ndërmerret nga opozita, pa cenim të traditës kushtetuese dhe parlamentare. E duke qenë që është një fenomen ligjor, edhe zgjidhja do të jetë dhe mund të jetë vetëm ligjore. Këto janë të vetmet alternativa, nuk ka të tjera mundësi jashtë Kushtetutës. Sigurisht që këto do të jenë oferta, mund të jenë oferta politike që t’i jepen Edi Ramës nëse ai do pranojë të ulet në tryezën e dialogut, seriozisht ama. Zgjidhjet janë ofruar, nuk është çështja për të gjetur një zgjidhje, po për të bindur PS-në, për të bindur opozitën, për të bindur minorancën ta eksplorojë atë zgjidhje që i është ofruar dhe jo për të krijuar episodin e radhës së dramës së tyre politike. Ata shkojnë në tryezën politike, ofrojnë zgjidhjen e tyre, por të mbrapshtit nuk pranojnë. Jo, nuk është kjo.
Si i shikoni takimet e fundit të Presidentit Bamir Topi me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar?
Pozitive. Por nuk mund të fsheh që po bëj edhe naivin në këtë mes. Sepse thirrja e ndërkombëtarëve si katalizator të dialogut do të kishte vend, nëse opozita do të ishte e kapluar nga një ndjesi mosbesimi prej sjelljes së mazhorancës. Opozita, nëse kërkon praninë e të tretëve asnjanës, garantistë, aq më shumë të huaj, duhet të kishte testuar sjelljen e mazhorancës apo edhe institucioneve të pavarura të këtij shteti. Por jo. Ajo nuk ka se si të jetë mosbesuese, pasi ofertat e saj sa herë që janë sjellë (të pakta dhe irracionale gjithsesi), janë trajtuar me seriozitet nga mazhoranca. Tashmë opozita ka frikë të artikulojë ndonjë ofertë apo spirale tjetër që të dalë nga qorrsokaku dhe turpi i vet politik, sepse është nën frikën se ajo do pranohet nga mazhoranca dhe kështu opozita do ngelet pa argument. Solli iniciativën për komisionin hetimor. Mazhoranca iu bind kërkesës së tyre dhe komisioni është ngritur, kurse opozita nuk vjen. Ka testuar njëherë të vetme sistemin e prokurorisë, dhe siç thotë ajo i ka dalë me sukses. Mazhoranca i ofroi mbështetje njerëzore dhe financiare prokurorisë që të angazhohej masivisht për kërkesën e opozitës, por kjo e fundit refuzon. I është thënë nga të gjitha anët të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, nëse e ndjen veten të cenuar siç pretendon dhe nuk shkon. Ka mundësinë të kërkojë mendim të pastër juridik dhe politik në Komisionin e Venecias dhe prapë refuzon me kokëfortësi. Pra, takimet dhe dialogu politik, qoftë edhe me ndërmjetës në këtë rast, duhen parë jo si mundësi për të gjetur zgjidhje të reja, por si një mënyrë për të bindur opozitën, për të shfrytëzuar mundësitë e pafundme për të arritur qëllimin e saj, për transparencë të zgjedhjeve. Sfida është kjo pra. Si do arrihet të bindet Edi Rama të respektojë edhe Kushtetutën, por edhe për të bërë transparencën që kërkon?!
A ekziston mundësia e gjetjes së një zgjidhjeje mes palëve në tryezën e Presidentit me ndërkombëtarët si ndërmjetës?
Disa muaj më parë zgjidhja u gjet. Zgjidhje ligjore, kushtetuese dhe politike madje. Nga një tryezë e Presidentit të Republikës. Ndërkohë që opozita nuk dëshiron ta shfrytëzojë. Ju më pyesni nëse mund të gjendet zgjidhje. Unë mund t’ju them se parashikime mbi marrëzirat politike të opozitës nuk mund të bëj, porse mund t’ju garantoj se mazhoranca është e gatshme jo vetëm të pranojë, por edhe të tolerojë brenda caqeve ligjore, për të përmbushur listën e kërkesave të opozitës. I takon opozitës të tregojë se është serioze në kërkesat e saj, do zgjidhjen e tyre, dhe do të sillet politikisht e përgjegjshme në këtë rast. Nëse po, zgjidhja është në tryezë.
Socialistët kanë rinisur edhe bojkotin parlamentar. Ku mund të shkohet me këto qëndrime?
Shpresoj të mos jetë e vërtetë. Nëse po, do të ishte një vetëvrasje e plotë për karrierat politike të përfaqësueseve të opozitës. Askush nuk do t’i merrte më seriozisht ata. Jo ndërkombëtarët, jo mazhoranca, e mbi të gjithë jo qytetarët e këtij vendi. Këta të fundit dinë dhe kanë mundësinë të japin vlerësimin dhe qëndrimin për sjellje të tilla të papërgjegjshme politike. Me votë.
E gjithë situata aktuale në vend, sa ndikon në vijimin e integrimit të Shqipërisë dhe a mund ta vonojë liberalizimin e vizave për shqiptarët?
Procesi i liberalizimit të vizave është bërë e qartë nga ndërkombëtarët se është një proces i karakterit teknik. I përmbushjes së disa detyrimeve të aspektit administrativ në lidhje me kontrollin e territorit, të kufijve dhe njerëzve. Parlamenti Europian e ka dhënë mendimin e tij paraprakisht, që në nëntor të vitit 2009. Ka përcaktuar se cilat janë këto detyrime. Qeveria është duke i përmbushur përditë e më tepër këto detyrime. Komuniteti ndërkombëtar jo vetëm po asiston në këtë proces, por edhe po monitoron ritmin e përmbushjes së tyre, madje ka dhënë edhe vlerësimet e veta konkrete për të, që siç të gjithë i njohim, janë më se pozitive. Tashmë janë artikuluar prej tyre data dhe afate konkrete për konkludimin e liberalizimit të vizave. Për këtë proces, sjellja politike aktuale e opozitës është ininfluente, edhe pse do të dëshironte ta pengonte. Megjithatë, procesi i integrimit është më i gjatë dhe më shumë se kaq. Të jemi të gjithë të bindur se ky proces kalon vetëm nëpërmjet realizimit të reformave. Për këto të fundit thelbësore është jo vetëm vullneti politik, por ndërmarrja e hapave konkretë. Qeveria është duke e bërë dhe duke i konkretizuar ato brenda dimensioneve parlamentare që shqiptarët i besuan asaj në 28 qershor të vitit 2009. Pritet që edhe opozita të bëjë të njëjtën gjë, pra të japë kontributin e saj. Së paku me reformat ligjore në Kuvend. Qoftë edhe duke bërë opozitarizëm konstruktiv. Duket qartë që opozita ka shkelur kontratën e besimit të saj edhe me mbështetësit e vetë. Integrimi është kauzë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Pjesëmarrja aktive, e sinqertë, konstruktive, qoftë edhe në mbrojtje të ideve të saj politike a programatike (nëse i ka), thjesht do të ndihmonte në përshpejtimin e këtij procesi në të mirë të të gjithë shqiptarëve, e madje do të shtonte edhe kredon e saj politike në sytë e shqiptarëve. Shpresoj dhe besoj që më mirë herët, se sa vonë, opozita të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi. Tek e fundit, nuk ka rrugë tjetër.
#