Zgjedhjet në Kaçanik, Vetëvendosje: Militantë të PDK presion në QV

Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se militantë të PDK-së së Hashim Thaçit kanë bërë presion në fshatin Biçec, në shkollën “Jusuf Gërvalla” duke qëndruar brenda QV 0705D.
Vetëvendosje bën me dije se “rreth orës 12:30, aktivistët tanë që po dërgonin ushqimin tek vëzhguesit dhe komisionerët e Lëvizjes fotografuan daljen e militantëve të PDK-së nga oborri i shkollës, pastaj personi i rrethuar në fotografinë e bashkëlidhur ka kërcënuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i thënë se nëse nuk i fshin fotografitë ai do ta vrasë”.
Sipas aktivistëve të Vetëvendosjes, policia e Kosovës nuk u ka ardhur në ndihmë për të nxjerrë jashtë oborrit militantët e PDK-së duke u përgjigjur me fjalët se “policia nuk ka të drejtë ta lëshojë qendrën e votimit”.
Aktivistët thonë se ata janë ndaluar nga militantët e PDK-së, të cilët janë në fotografi me zyrtarin e Komunës së Kaçanikut, Azem Guri, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, dhe janë kërcënuar për mospublikimin e fotove.
“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të zbatojë ligjin dhe të sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Si dhe i bëjmë me dije secilit militant që ka marrë porosi që të pengojë, frikësojë e kërcënojë, të zmbrapset sepse vëzhguesit dhe komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje janë aty për ta mbrojtur me çdo kusht votën”, apelon lëvizja Vetëvendosje.
Gjithashtu vëzhguesit dhe komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje në plot 42 vendvotime kanë vërejtur parregullsi dhe shkelje të ligjit, si votime familjare, prezencë dhe presion nga eksponentë të PDK-së, fushatë nga anëtarë të PDK-së dhe punëtorë të Komunës së Kaçanikut pranë dhe në qendrat e votimit.