Zgjedhjet në PS, nis sot procesi i caktimit të kryetarëve në rrethe
TIRANE-Socialistët në të gjithë Shqipërinë, veç Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës e Librazhdit, nisin që sot zgjedhjen e kryetarëve të rretheve. Sipas vendimit të kryesisë, procesi zgjedhor do të nisë që sot e pritet të përfundojë deri në 12 korrik. Kjo është faza e fundit e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të PS-së në rrethe. Ata do t’i nënshtrohen votimit mes alternativave, ashtu siç është vendosur nga kryesia dhe menjëherë pas marrjes së votave, ata që do të zgjidhen do të jenë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Kështu në Tiranë pritet të konkurrojnë përballë njëri-tjetrit në Asamblenë e rrethit, Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Në qytetin e Durrësit, nga shumë propozime kryesia la vetëm emrat e Gentian Bejkos dhe Aurel Vodës. Në rrethin e Elbasanit do të konkurrojnë ish-deputeti Ndriçim Hysa, Arben Kamani, Astrit Halili. Në Korçë tashmë janë për në votim Ilir Pendavinji, Bashkim Hazisllari, Ermir Skënderi, Muharrem Meko e kështu me radhë të gjitha rrethet kanë nga 2 apo deri në 4-5 kandidatura, të cilat do t’u shtrohen për zgjedhje anëtarëve të asambleve përkatëse. Në bazë të statutit të ndryshuar, PS-ja tashmë do të funksionojë në bazë rrethi. Ky ndryshim, sipas asaj që ka shpjeguar sekretari organizativ, Blendi Klosi në një nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare, është bërë më shumë për qëllime elektorale. PS nis kështu përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit që vjen, duke krijuar një pikë të fortë të një lidhjeje më të afërt me elektoratin, pas një përvoje jo të mirë që pati në zgjedhjet e vitit 2009 me strukturimin në bazë qarku.
Pritet qe Asambleja Kombëtare e PS-së do të shtohet edhe me 36 anëtarë të rinj pas zgjedhjes së kryetarëve të rretheve. Këtë, drejtuesit e PS-së e kanë cilësuar si një lloj rifreskimi që i bëhet forumit të lartë, duke futur emra të rinj në përbërjen e saj. Krerët e rretheve do të hyjnë automatikisht dhe me të drejtë vote në asamble.
(d.b/BalkanWeb)
Pritet qe Asambleja Kombëtare e PS-së do të shtohet edhe me 36 anëtarë të rinj pas zgjedhjes së kryetarëve të rretheve. Këtë, drejtuesit e PS-së e kanë cilësuar si një lloj rifreskimi që i bëhet forumit të lartë, duke futur emra të rinj në përbërjen e saj. Krerët e rretheve do të hyjnë automatikisht dhe me të drejtë vote në asamble.
(d.b/BalkanWeb)