Zgjedhjet në Shqipëri, vëmëndja e mediave ndërkombëtare

Agjencia prestigjoze e lajmeve “Reuters”, i ka kushtuar një shkrim zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri, ku vë theksin në dhunën që ka shoqëruar fushatën elektorale në të gjithë vendin dhe objektivin e partive kryesore për të fituar Tiranën.
Agjencia shkruan se Shqipëria shpreson të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta, të cilat shihen si një test për demokracinë pas protestës së 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona.
“Reuters” vëren apelin e presidentit Topi bërë në media e intensifikimi i dhunës gjatë fushatës elektorale që është i rrezikshëm.
Sipas kësaj media prestigjoze, dy partitë kryesore në vend, PD në qeveri dhe PS në opozitë po premtojnë se do të ndryshojnë Shqipërinë nëse fitojnë zgjdhjet.
“Reuters” nënvizon se si për Partinë Socialiste dhe atë Demokratike, objektivi është fitorja e kryeqytetit, Tirana.
Agjencia ndalet në dy kandidatët për kryetar Bashkie. Duke iu referuar Lulzim Bashës, agjencia raporton deklaratën e tij se me një projekt europian mbështetur nga gratë e kryeqytetit, është e mundur të bëhet Tirana europiane.
"Partia Socialiste refuzon të pranojë zgjedhjet e 2009-tës të cilat i dhanë fitoren kryeministrit Berisha, politikanit dominues të Shqipërisë pas komunës", shkruan më tej Reuters.
Agjencia thekson se PS akuzon qeverinë për korrupsion, për vjedhje të votës dhe kërkon largimin e kryeministrit .
"Demokratët e Berishës dhe socialistët e Edi Ramës janë mbërthyer në një luftë për pushtet që nga zgjedhjet e fundit parlamentare në qershor 2009", vijon më tej Reuters.
Ndërsa për kandidatin Rama, Reuters thekson premtimin e tij për të ulur papunësinë duke hapur 300 mijë vend të reja pune.
Në fund të shkrimit, Reuters i referohet shpërthimit të një bombe në automjetin e kandidatit për komunë Shtiqën të Kukësit.