E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Tiranë PS çon sot në Prokurori manipulimet

TIRANE-  Socialistët pritet të dër gojnë sot në Prokurori provat, me anë të të cilave ata pretendojnë të vërtetojnë manipulimet në rezultatin për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, tre ditë më parë, denoncoi faktin se në Tiranë, nga 117 qendra votimi që u morën në shqyrtim nga KQZ-ja, janë gjetur 357 fletë votimi më shumë sesa numri i votuesve në këto qendra.

 Me këto të dhëna, po edhe me dokumente të tjera shkëputur nga libri i kontestimeve të qendrave të ndryshme të votimit, PS-ja pritet t'i drejtohet Prokurorisë.

Dorëzimi i denoncimit në prokurori u bë i ditur dje nga anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa e cila paralajmëroi se PS, cdo ditë, do të hedhë dritë mbi kutitë e manipuluara për të përmbysur fitoren në Tiranë dhe se prej ditës së sotme edhe Prokuroria do disponojë të gjithë të vërtetën e këtij "kanibalizmi elektoral".

 "Kusarët e votave janë të kapur me prova tronditëse që flasin vetë. Tirana s'mund të gjunjëzohet me vota të vjedhura pas një numërimi që na nxori fitues në sytë e çdo shqiptari", - deklaroi Ajtyresa duke shtuar se PS-ja pret nga Kolegji Zgjedhor "të japë drejtësi në emër të ligjit, dhe nga prokuroria, të ndëshkojë ligjërisht falsifikatorët e zgjedhjeve".

"Ne i kemi fituar zgjedhjet në Tiranë e gjithë Shqipërinë. Humbësit do përballen me popullin sovran, jo vetëm si humbës, po dhe si shkelës të dhunshëm të vullnetit të popullit", - deklaroi Ajtyresa.

Nga ana e saj PD deklaron se Lulzim Basha, që ka marrë 81 vota më shumë sesa kandidati tjetër, nuk ka asnjë arsye ligjore dhe morale të kërkojë të mbysë zërin e qytetarëve, të cilët i kanë dëshmuar atij mbështetjen më të madhe"
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›