E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në shqipëri janë vlerësuar pozitivisht nga ndërkombëtarët

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua sot me z. Lars Freden, Ambasador i Suedisë në Tiranë, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Kryetarja e Kuvendit, duke u ndalur në zgjedhjet e fundit, shprehu kënaqësinë që më 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira, me një infrastrukturë moderne të aplikuar për herë të parë, e që morën vlerësimet pozitive nga OSBE, KE dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare. "Procesi zgjedhor në 93 % të qendrave të votimit u vlerësua mirë dhe shumë mirë", nënvizoi ajo. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që sistemi zgjedhor dhe Kodi i propozuar nga opozita, ndërtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u votuan me konsensus në parlament. Komisionerët e majtë e të djathtë, si asnjëherë më parë, firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe KQZ votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar. Duke theksuar rolin thelbësor të parlamentit si pushteti i drejtpërdrejtë i sovranit, Kryetarja e Kuvendit, e cila në mënyrë të përsëritur ka ftuar deputetët e opozitës të zenë vendin e tyre në Kuvend, nënvizoi se prania e opozitës në parlament  është shumë e rëndësishme për vetë opozitën, por edhe për vendin. Kryetarja e Kuvendit tha se "Parlamenti është vendi i debatit, vendi i negociatave dhe i konsensusit. Katër vitet e mandatit të kaluar janë dëshmi e konsensuseve të mëdha të arritura." Më tej, biseda u ndal edhe në liberalizimin e vizave dhe kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Suedisë në afrimin e vendit tonë me Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›