A do ta vendosë Rama ndërprerjen e bojkotit në “zgjedhjet” e 26 shtatorit?
Bojkotimi i kuvendit ka nisur t’i dëmtojë interesat madhore të shqiptarëve. Ky është një “peshqesh” që i ka dhuruar vendit humbësi Edvin Rama. Si idealist, ky liberal e shfrytëzon 26 shtatorin për t’u zgjedhur vetë në krye të PS-së. Si humbës i zgjedhjeve, synon të krenohet me idolatrinë e shfaqur atje ndaj tij. Si “demokrat” anarkist, ngulmon të legalizojë bojkotin dhe të vazhdojë bunkerizimin e reformave. Iluzionistët shpresojnë që ai të tregohet në kongres nxitës i një fryme përparimtare, vetëkorigjuese, altruiste dhe proeuropiane. Dhe nuk e diskutojnë që Rama do të marrë atje vendim të prerë për ndërprerjen e bojkotit. Skeptikët, përkundrazi, e përfytyrojnë 26 shtatorin e PS-së si maskaradat pompoze të “qoftëlargut”. Hajdutët me çizme të PS-së e presin si manifestim të avokatisë së krimeve të tyre. Servilët - si justifikim shkencor të depersonalizimit të njeriut. Socialistët e ndershëm kanë mbyllur sytë e veshët, se nuk duan të shohin e të dëgjojnë ecjen praptazi të “gaforres” së tyre pa busull. Deputetëve të lëvizjes “Për një mendim ndryshe” u vjen turp të marrin pjesë në të. Ata nuk duan të shohin se deri ku rrëzohet ideali nën trysninë e ambicies vulgare për pushtet të pakufizuar personal. Kurse njerëzit optimistë nuk e besojnë që forca kryesore opozitare të udhëhiqet endé nga skemat e sistemit të hurit e të litarit. Ka të tjerë që shpresojnë endé te zemërmirësía e Ramës, natyrisht, nëse 26 shtatori e rizgjedh atë kryetar të partisë. Ka pastaj njerëz që mendojnë sikur Rama, pas kongresit, do të bëhet më arrogant dhe do t’i kërkojë më me forcë të plotësuara “kushtet” për hyrjen në parlament. Kurse pamja e Ramës në daljet televizive dhe fjalët e tij në tubimet e dështuara me “bazën” po tregojnë se misionari i diktatit, i çliruar nga makthi i një dështimi të ri, të mundshëm, do të kërkojë veç bojkotit, edhe ca qiqra të tjera në hell. Ndonëse këto mund të duken thjesht hamendësime, e vërteta e tyre nuk është aq e pabesueshme. Sidomos me kërcënimet dhe dredhat që ka bërë Rama, që nga dita e çertifikimit të tij si humbës. Shkelësi i statutit të partisë po mendohet ta bëjë zap elektoratin socialist vetëm me statut. “Politika e re” do të shfaqë fytyrën e saj të vërtetë. Ajo do të zëvendësohet nga slogani: “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!”. Dhe Rama do të bërtasë në kongres, sa t’i hajë gurmazi. Por pas ulërimave do t’i buzëqeshë befas sallës. Votimin për kryetar do ta bëjë të hapur. Puthadorët nuk do t’i lejojë ta lavdërojnë deri në fund. Terrorin do ta sfumojë me ngërdheshje. Për bojkotin do të shprehet si i zënë ngushtë. Numërimin e votave do t’ua besojë sekserëve të tij. Mllefin e humbjes do ta shfaqë duke nxitur duartrokitjet frenetike dhe ovacionet e pandërprera të delegatëve. Forcën e partisë do të tregojë në blasfemitë ndaj kundërshtarit. Kandidatin “kukull” do ta falënderojë, që i dha konkurimit imazhin e një gare demokratike. Në podium do ta zhysë vështrimin brenda vetes për të treguar se po dëgjon “zëra”. Bojkoti do të çmohet si zgjidhja ideale e çlirimit të liderit largpamës, por që zakonisht sheh mbrapa. Delegatët do të dalin nga salla duke pyetur veten se përse lodhën kot gjer në Tiranë. Ata fare mirë mund ta rizgjidhnin Ramën kështu që nga shtëpitë e tyre, sipas parimit “Një anëtar - një votë”. Ndërkohë bojkoti nuk kishte nevojë as të diskutohej. Kongresi do të etiketohet “historik”, ndaj mandati i kryetar Ramës mund të lihet edhe i papërcaktuar. Madje, Rama mund të mbetet në historí si misionar i paparë i bojkotit. Nëse do të humben rishtas zgjedhjet, kryetari do të përjashtohet nga çdo përgjegjësí. Vetëm kështu do të bëhen bojkote për çështje edhe më pak të rëndësishme. Çdo humbje do të paragjykohet si manipulim. Komisionerë për qendrat e ardhshme të votimit do të caktohen vetëm kushërinj, nipër e mbesa të kandidatëve. Bojkotimi do të shpallet metodë kryesore e kulturës demokratike të partisë në opozitë. Rama do t’i falë “armiqtë” e partisë, sepse duke bojkotuar kongresin, e kanë kuptuar tashmë filozofinë politike të këtij misionari jopolitikan.
Por Rama edhe mund të mos pajtohet me këtë platformë, që thamë. Ai e ka menduar, ndoshta, më thellë punën. Ndoshta, do ta pranojë vetëm si nevojë të partisë rizgjedhjen e tij si kryetar i saj. Dhe, ndoshta, ka për t’i befasuar kongresmenët me tolerancën e tij ndaj atyre, që firmosën për numërimin e saktë të votave. Ndërsa vetë bojkotin mund ta prezantojë si një shpikje, që, në fund të fundit, ia sugjeroi, pa dashur, manipulimi i kundërshtarit politik. Apo, ndoshta, mund ta lartësojë veten edhe duke e akuzuar pse nuk u tregua aq i ashpër ndaj atyre që i bënin qejfin. Pse nuk caktoi më shumë femra deputete. Pse harxhoi aq kohë me fukarenjtë, që ia interpretuan lotët e krokodilit si mëshirë, si një tallje. Pse nuk e futi edhe në programin elektoral bojkotin. Pse nuk vuri si kusht për bojkotin vazhdimin e tij më tepër dhe se gjashtë muaj. Shkurt, Rama në kongres do t’i bëjë bojkotit një avokatí më të rreptë, sesa u bënte “qoftëlargu” krimeve të tij monstruoze. Bojkoti do të dalë, pra, nga ky kongres si shpëtim i Shqipërisë nga ata, që duan t’ia liberalizojnë asaj sa më shpejt vizat dhe që synojnë ta fusin vendin nën diellin e shndritshëm të ligjeve europiane, të cilat nuk mund ta jusifikojnë grabitjen e pronës së tjetrit, as nevojën e korrupsionit, madje, as domosdoshmërinë historike të “dajakut” të diktaturës. Në këtë kongres, pra, Rama, do t’i tregojë botës se elektorati i majtë shqiptar ka mbetur te mendësia e marrjes së pushtetit me dhunë, prandaj bojkoti është dhe lypset ruajtur si forma demokratike për të arritur vetëm pas disa dekadash në gjirin e Europës së emancipuar.