E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet parlamentare në Itali, Berluskoni kryeson sondazhet

Gara kryesohet nga Silvio Berluskoni dhe Valter Veltroni. Sipas sondazheve, Pdl e Berluskonit kryeson me 42 për qind të votave

Sot pritet të bëhen të ditura rezultatet finale të zgjedhjeve në Itali të cilat do të përcaktojnë pasardhësin e kryeministrit Romano Prodi, pas votimeve që vazhduan për dy ditë dhe që u mbyllën ditën e djeshme në orën 15. Gara kryesohet nga ish kryeministri Silvio Berluskoni dhe ish kryetari i bashkisë së Romës Valter Veltroni. Sondazhet e fundit në Itali kanë nxjerrë
fituese të zgjedhjeve të përgjithshme, të djathtën e Berluskonit me 42 për qind të votave, kundrejt 40 për qind të votave të fituara nga e majta e drejtuar nga Valter Veltroni dhe Italia dei Valori. Sipas këtyre të dhënave, koalicioni Populli i Lirisë së bashku me partitë Lega Nord dhe MPA ka udhëhequr me rreth 2 deri në 3 për qind në të dy dhomat e parlamentit megjithatë rezultatet mund të ndryshojnë. Fituesi që do të dalë nga këto zgjedhje do të formojë qeverinë e 62 të Italisë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Sondazhet kanë treguar se favoriti kryesor i këtyre zgjedhjeve është Berluskoni, një nga personat më të pasur të Italisë. Ekonomia ka dominuar fushatën zgjedhore të të dy kandidatëve dhe ata kanë premtuar zvogëlim modest taksash dhe reduktim të burokracisë. Analistët thonë se gara për kreun e qeverisë do të jetë shumë e përafërt dhe se fituesit do t’i duhet që të bëjë marrëveshje me partitë më të vogla. Berluskoni drejton një forcë të re politike konservatore në këto zgjedhje, Populli i Lirisë, ndërsa Veltroni, ish-komunist, për shtatë vjet ka qenë në postin e kryetarit të bashkisë së Romës para se të merrte drejtimin e koalicionit që drejtohej nga Romano Prodi pas rënies së qeverisë së tij në janar. Tani ai drejton një grupim politik të formuar së fundmi, Partinë Demokratike. Edhe pse Italia përballet me një borxh të madh publik, të dy kandidatët kanë premtuar zvogëlim taksash. Por ekonomia italiane po shënon rënie dhe pasojat e kësaj po i ndjejnë kryesisht të rinjtë, pensionistët dhe italianët me të ardhura të pakta. Korrespondentët thonë se kushdo që do të shpallet fitues, e di se vendi duhet të kalojë një periudhë të dhimbshme reformash politike dhe ekonomike, që janë të pashmangshme. Në këto zgjedhje u votua për 945 vendet e Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve. Ato u mbajtën tri vjet para afatit, pasi në muajin janar, qeveria e qendrës së majtë e Prodit ra pasi humbi votëbesimin në parlament. Qeveria Prodi u shpërbë vetëm 20 muaj pas fillimit të mandatit të saj 5-vjeçar. Shifrat zyrtare kanë sugjeruar se afërsisht dy të tretat e votuesve kanë hedhur votën e tyre.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›