Ryker, kërkesë Serbisë: “Zgjedhjet në Kosovë pas 11 majit”
Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Joakim Ryker, është duke pritur përgjigjen e Beogradit zyrtar mbi propozimin që zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë të mbahen pas 11 majit, për të përmbushur zbrazëtinë e legjitimitetit në komunat e banuara me serbë. “Nuk kemi pranuar ende përgjigje nga Beogradi, lidhur me letrën e dërguar. Nuk mund të reagoj ndaj komenteve që politikanët serbë kanë bërë, por është e qartë në letër se nëse Serbia mban zgjedhjet në Kosovë, ato do të jenë të paligjshme”,- ka deklaruar zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm. UNMIK-u ruan qëndrimin neutral për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Por, sa i përket zgjedhjeve lokale, konsideron se ato në Kosovë mund t’i organizojë vetëm UNMIK-u. “Kjo nënkupton se nëse Serbia dëshiron që të mbajë zgjedhje legjitime në pesë komunat kryesore serbe, atëherë do të mund të diskutojmë modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve atje”,-është shprehur Lindholm, duke mos dhënë detaje të këtyre modaliteteve. Ndryshe, UNMIK-u nuk sqaron as veprimet që do të ndërmarrë, nëse zgjedhjet lokale serbe mbahen në Kosovë më 11 maj. “Ne shpresojmë se Qeveria e Beogradit do të jetë e vëmendshme nga veprimet që mund të pasojnë, e të cilat janë specifikuar në letër, por ne nuk mund të flasim tani, për atë që mund ose nuk mund të ndodhë”,-tha Lindholm. Ndërkohë kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka deklaruar se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, “Serbia do ta legjitimojë atë si territor të sajin”, duke shtuar se zgjedhjet do të mbahen “me ose pa dëshirën e UNMIK-ut”. Në anën tjetër, forcat politike në opozitë në Kosovë kanë marrë një qëndrim më të ashpër, duke kërkuar nga të gjitha institucionet të shprehen në mënyrë shumë të prerë kundër zgjedhjeve komunale serbe dhe të mos i lejojnë ato që të mbahen në Kosovë.
15 Prill 2008