Zgjedhjet presidenciale, balotazh në Kroaci

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci do t'i drejtohen një raundi të dytë të votimit, balotazhit. Në raundin e parë ishte kandidati i Partisë Socialdemokrate të opozitës, Ivo Josipovic i cili fitoi më shumë vota, e përkatësisht 32.4%. Megjithatë ai nuk mundi të sigurojë më shumë se 50%, dhe për këtë arsye do të duhet të zhvillohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve, përcaktuar për datën 10 janar. Në këtë përballje, kandidat tjetër do të jetë kandidati i pavarur, Milan Bandic, i cili nga raundi i parë i votimit doli me një rezultat prej14.8% të votave. Dalja e votuesve në zgjedhjet e së dielës ishte 44 përqind, shifër që tregon për një nivel të ulët të pjesëmarrjes.
Komisioni i Zgjedhjeve saktësoi se 4.5 milionë votues ishin regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, përfshirë edhe 400 mijë persona që jetojnë jashtë territorit kroat. Në garë për të zëvendësuar presidentin aktual Stipe Mesiç ishin 12 kandidatë. Kroatët votuan të dielën për të zgjedhur pasuesin e presidentit Stipe Mesiç, mandati i të cilit përfundon në muajin shkurt pas dy mandateve. Presidenti i ri, ka gjasa që ta drejtojë vendin drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Edhe sondazhet e fundit vendosnin në krye socialdemokratin e opozitës, Ivo Josipovic . Nën drejtimin e presidentit Stipe Mesiç, Kroacia më herët gjatë këtij viti u anëtarësua në NATO.